E Diel, 1 Nëntor 2026

Kina, në krizë femrash 24 milionë meshkuj më shumë

Kinë
Për shkak të politikave inkurajuese ndaj djemve

Mbi 24 milionë kinezë të moshës së martesës brenda një dhjetëvjeçari ka shumë mundësi që të mos gjejnë nuse për t’u martuar, për shkak se numri i meshkujve është disa herë më i madh se ai i femrave. Sipas një raporti të fundit kinez, mosbalanca e gjinive mes të sapolindurve është një nga problemet demografike më serioze me të cilat është hasur ndonjëherë vendi me një popullsi prej 1.3 miliardë vetash. Në raport nuk synohet fshehja se preferenca për fëmijë meshkuj është një nga shkaqet e situatës aktuale. Numri i madh i meshkujve që po bëhen pjesë e një ushtrie gjithnjë e më të madhe beqarësh është konsideruar si një problem shumë i madh, që mund të çojë në rritjen e kriminalitetit dhe në mungesë të stabilitetit social, që është edhe frika më e madhe për Partinë Komuniste. Kjo e fundit prej shumë vitesh ka inkurajuar politikën e “fëmijës së vetëm” për të ulur ritmet e shtimit të popullsisë, si edhe një politikë që ka preferuar dukshëm meshkujt ndaj femrave. Për këtë janë lejuar abortet e fetuseve femërorë dhe janë inkurajuar edhe financiarisht embrionet e meshkujve. Si pasojë e këtyre ndryshimeve shanset për t’u martuar për meshkujt në Kinë do të bëhen gjithnjë e më të rralla, çka ndoshta do të bëjë që ata të kërkojnë krijimin e familjes jashtë Kinës.

#

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›