Berisha nga Shkodra: Përmbytjet ishin një katastrofë ekologjike

Kryeministri vlerëson KESH-in dhe emergjencat për përballimin me sukses të situatës së krijuar
Zona e Shkodrës ka pësuar një katastrofë ekologjike. Ky ishte vlerësimi që bëri dje paradite Kryeministri Berisha në një takim që zhvilloi në Shkodër me përfaqësues të qeverisë qendrore dhe asaj vendore, Komitetit të Emergjencave dhe përfaqësues vendorë të zonës. Sipas Kryeministrit, ndonëse kjo zonë pësoi një katastrofë ekologjike, është shumë e rëndësishme që nuk pati asnjë humbje jete njerëzore.
Sipas Berishës, përmbytja, e cila ka hyrë në ditën e saj të dhjetë, ka shkaktuar dëme të mëdha ekonomike. “Ndodhen nën ujë territore të tëra ndër më pjelloret e trojeve shqiptare. Kjo ka qenë dhe është një nga zonat më të fuqishme të prodhimit bujqësor të vendit”, deklaroi Kryeministri nga Shkodra. Por kreu i qeverisë, ndonëse theksoi se situata vazhdonte e vështirë, fajësoi për këtë, motin dhe kushtet natyrore, që sipas tij, bënë që në këtë zonë të ndodhte një ngjarje nga ato që ndodhin një herë në 100 vjet. “Observatori i përmbytjeve, Dartmouth Flood, i cili bën një vlerësim hapësinor dhe me mjete të tjera shkallën e përmbytjeve, e paraqet këtë përmbytje si ekstreme dhe si një ngjarje, si një mot, i cili ndodh më rrallë se 100 vjet”, theksoi kreu i qeverisë.
Duke e konsideruar ngjarjen tërësisht si natyrore, Berisha theksoi se puna e Korporatës Energjetike Shqiptare në përballimin e situatës ka qenë për t’u vlerësuar dhe në përputhje të plotë të rregulloreve.
“Këta burra e gra kanë bërë natën ditë dhe kanë qëndruar në krye të detyrës me një kompetencë shumë të madhe, kanë punuar me gjakftohtësinë më të madhe dhe sot jemi, me gjithë situatën, shpresoj në dalje të emergjencës ujore”, lajmëroi Berisha, por theksoi se emergjenca civile po vazhdon në zonë. Kryeministri gjeti kështu rastin të sigurojë të gjithë qytetarët e zonës, se digat janë të sigurta dhe se askush nuk duhet të përhap më panik për këtë çështje. “Ata të cilët përhapën panik pa qëllim, duhet të jenë të qetë, të sigurt se nuk ekziston as edhe një portë, nuk ekziston as edhe një tunel që nuk hapet dhe që nuk funksionon.
Nuk ekziston asnjë rrezik, as edhe minimal për asnjërën nga digat e kaskadës”, siguroi Kryeministri. Nga ana tjetër, Berisha garantoi të gjithë banorët e zonave të përmbytura se pas normalizimit të zonës, do të niste menjëherë rehabilitimi i saj. “është e domosdoshme që përparësi të kemi evakuimin, identifikimin dhe ndihmën emergjente, por krahas kësaj, duhet të ekzistojnë planet B. C. D e me radhë, deri në normalizimin total të zonës së përmbytur”, vuri në dukje kreu i qeverisë. Sipas tij, ishte e rëndësishme që të falënderoheshin edhe vendet mike të Shqipërisë, si edhe organizatat joqeveritare, të cilat kishin dhënë një ndihmë të çmuar për përballimin e situatës të krijuar si pasojë e përmbytjeve.
“Ne ndihmat i kemi dhe nuk na mungon asgjë, por duhet ta çojmë atë në mënyrën më eficiente tek të gjithë ata që kanë nevojë”, siguroi Berisha. Sipas tij, operacioni i strukturave shtetërore do të vazhdojë dhe do të mbetet tërësisht i përqendruar në shpëtimin e jetëve njerëzore dhe evakuimin e tyre. Në lidhje me marrjen e masave për mospërmbytjen e qytetit të Shkodrës, Kryeministri theksoi se qeveria ka filluar thellimin e lumit Buna, një projekt ky i nisur për qëllime lundrimi dhe turistike, por edhe ndihmues në drenimin e këtij liqeni, të krijuar në zonat e përmbytura.
Po kështu, Berisha kërkoi nga ndërmarrjet e kanalizimeve dhe ujësjellësve, të kenë të gatshme projektet për ndërhyrjet më energjike të rivendosjes së plotë të funksionimit të të gjithë sistemit të kanalizimeve dhe sistemit të kullimit në zonë. Më pas, Berisha ka zhvilluar një tjetër takim me komitetin ndërministror dhe ka inspektuar fshatin Kuç pas përmbytjeve të ndodhura aty ditët e fundit.
#