E Shtunë, 31 Tetor 2026

Josipoviç Presidenti i vendit

Kroaci

Profesori i ligjit social-demokrat dhe kompozitori i muzikës klasike Ivo Josipoviç, ka fituar zgjedhjet presidenciale të së dielës në Kroaci, duke u zotuar që të mbështesë qeverinë e qendrës së djathtë në përpjekjen e saj kundër korrupsionit dhe anëtarësimit në Bashkimin Europian. Ai fitoi me 60% kundër rivalit të tij populist, Milan Bandiç, sipas rezultatit përfundimtar të zgjedhjeve që doli dje. Ish-kryetari i Shoqatës së Kompozitorëve kroatë e krahasoi këtë ngjarje me një “simfoni fitoreje”. Pavarësisht se i përket një kampi tjetër politik, Josipoviç është zotuar që të mbështesë Kryeministrin e vendit Kosor për zbatimin e reformave.
“Unë besoj se ne të gjithë duam një Kroaci më të mirë, me më shumë drejtësi dhe një vend ku njerëzit të paguhen siç e meritojnë për punën që bëjnë dhe ata që bëjnë krime të dënohen”, ka thënë ai në fjalimin pas marrjes së informacioneve zyrtare të votimeve. Ish-vendi Jugosllav ka shumë mangësi në luftën kundër krimit të organizuar, por Kryeministri i caktuar së fundi ka nisur një seri reformash shoqëruar me nisjen e hetimeve për shumë figura të politikës dhe biznesit. Deri më tani, dhjetëra zyrtarë janë akuzuar dhe i janë nënshtruar gjykimit për vepra penale. Sipas analistëve, aleanca e Kryeministrit me Presidentin do të ndihmojë në ndryshimin e klimës në vend dhe në zbatimin e reformave.
Ndërsa rivali i Presidentit të ri, kryebashkiaku i Zagrebit, Milan Bandiç, është përballur vetëm me akuza për korrupsion. Situata ekonomike në vend nuk është e mirë, ndërsa Kroacia po përballet me recesionin dhe shtimin e papunësisë. Në Kroaci pushtetin kryesor e ka Kryeministri, por edhe Presidenti është shefi i Forcave të Armatosura dhe ka një ndikim shumë të madh për sa u përket vendimeve lidhur me politikën e jashtme.

#

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›