E Diel, 1 Nëntor 2026

Ali Ahmeti mesazh ngushëllimi për humbjen e 4 Dëshmorëve

Sipas zyrës së shtypit pranë kryeministrisë, në mesazhin e  tij të ngushëllimit, z. Ahmeti shprehu dhimbjen e thellë për lajmin e trishtueshëm të vrasjes së katër oficerëve të Policisë së Shtetit shqiptar.

Sipas tij "lufta kundër krimit të organizuar dhe funksionimi i shtetit ligjor, shpeshherë kanë patur çmim të lartë dhe kanë marrë haraçin në gjak".

"Bijtë tuaj, oficerë të policisë, janë humbja e madhe që kanë veshur në zi gjithë popullin shqiptar. Duke qenë bashkë në këto momente pikëllimi, më lejoni t’ju shpreh ngushëllimet më të sinqerta dhe më të përzemërta. Dhimbjen duhet ta shndërroni në forcë dhe të jeni krenar se Fatosi, Altini, Saimiri dhe Kastrioti edhe në momentin e rënies ishin në anën e të mirës dhe në luftë kundër të keqes, ishin në shërbim të nderit dhe autoritetit të familjeve të tyre, të popullit tonë dhe të shtetit shqiptar", thuhet në mesazhin e z. Ahmeti.

Katër punonjësit e policisë, Drejtues Fatos Haqir Xhani, kryeinspektorët Kastriot Çlirim Feskaj, Saimir Islam Duçkollari dhe Altin Idriz Dizdari u vranë dje në plazhin Iliria në Durrës, në përpjekje për të kapur të shumëkërkuarin Dritan Dajti, i cili hapi zjarr ndaj tyre.
    

                                                                                             

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›