E Shtunë, 31 Tetor 2026

SHBA-të kundër ndarjes së Kosovës

I pyetur se a kishte ndonjë koment zyrtar nga administrata e tashme rreth idesë së shkëmbimit të territoreve midis Kosovës dhe Serbisë, një ide kjo e ringjallur si deklaratë nga kongresisti republikan, Dana Rohrabacher, zëdhënësi në Departamentin e Shtetit tha se qëndrimi amerikan rreth Kosovës nuk ka ndryshuar, ndërsa shtoi se nuk e kishte transkriptin e deklaratës dhe si rrjedhojë nuk mund ta komentonte atë.

“Mund t'u them se politika jonë është e pandryshuar”, tha për RTK-në, Mark Toner, zëdhënës i Byrosë për Çështje Evropiane në Departamentin e Shtetit.

Kongresisti Rohrabacher tha ditë më parë për “Zërin e Amerikës” se duhej një mirëkuptim a marrëveshje mes Serbisë dhe Kosovës për shkëmbim territoresh, duke nënvizuar se ‘nëse Beogradi këmbëngulë për të marrë veriun e Kosovës atëherë edhe shqiptarët duhet të këmbëngulin për marrjen e Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit.’

“Shtetet e Bashkuara mbështesin sovranitetin dhe integritetin territorial të Kosovës brenda kufijve ekzistues. Ne nuk mbështesim asnjë lloj ndarje të Kosovës”, tha Toner.

Deklarata e zyrtarit të politikës së jashtme amerikane ishte pothuajse ngjashme me qëndrimin e shqiptuar dje nga zëvendëskryeministri i Kosovës, Ramë Manaj, për ‘territorin e Kosovës si një, unik dhe të pandarë’.

Start/RTK

                                                                                             

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›