E Diel, 1 Nëntor 2026

Maturantet, hiqet nota 4 nga provimet me zgjedhje

Frederik Shalësi, kreu i APRIAL tregon se edhe pse nje maturant merr noten 4 nuk do te ngele ne klase. Shalesi shpjegoi per Gazeta Shqiptare se " s’ka ngelës, të gjithë do kenë një notë të përshkallëzuar" 

TIRANE-Edhe nëse nota që kanë marrë është katër, asnjë maturant nuk do të konsiderohet ngelës. Rregulli vlen vetëm për provimet me zgjedhje të Maturës Shtetërore, ku pavarësisht pikëve që kandidatët kanë marrë, ata do të hyjnë në garë me një notë të përshkallëzuar. Që do të thotë se ndryshe nga vitet e mëparshme, ku shumë maturantë u dogjën nga provimet me zgjedhje, këtë vit ata do të jenë në garë, por sa do arrijnë të dalin sipër listës së fituesve, kjo do të merret vesh vetëm pasi të bëhet shpërndarja e tyre nëpër fakultete. Frederik Shalësi, kreu i APRIAL, që merret me llogaritjen e pikëve dhe shpërndarjen e fituesve sipas preferencave, në një intervistë për “Gazetën Shqiptare” deklaron se në fund të gushtit do të jetë gati formulari i pasaktësive, ndërsa fituesit do të dalin rreth datës 12 shtator, kur të kenë përfunduar edhe konkurset. I pyetur se cfarë do ndodhë me ata që kanë marrë 4 në provimet me zgjedhje, Shalesi shpjegon se "
Në sistemin e sivjetshëm të provimeve me zgjedhje është hequr koncepti ngelës. Që do të thotë se të gjithë maturantët kanë një notë të shkallëzuar që futet në llogaritjen e pikëve të Maturës Shtetërore. Vetëm maturantët që kanë notë ngelëse 4 në provimet e detyruara konsiderohen mbetës dhe është tregues se ata nuk kanë mbaruar shkollën e mesme dhe rrjedhimisht nuk kanë të drejtë të aplikojnë për në universitet. Ata duhet t’u nënshtrohen provimeve të vjeshtës dhe të presin vitin e ardhshëm për t’u futur në garë për në shkollë të lartë".

(d.b/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›