E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ali Aliu: Veprimtari të tilla, ogur i mirë për librin

Akademiku Ali Aliu ka qenë i ftuar special i Panairit të Librit "Ulqini ‘09", i cili ka mbërritur në edicionin e nëntë të tij. Njohës i mirë dhe lëvrues i kritikës shqiptare, eseist dhe përkthyes, Ali Aliu u cilësua në takimin promovues të veprës së tij, si një nga njerëzit më të spikatur që di të thotë fjalën e tij mbi letrat shqipe, si për një brez që ka shkruar para viteve ‘90, në kushtet e një autocensure, ashtu dhe të një brezi të ri në letërsi, që ende nuk është ravijëzuar si i tillë. Botuesi i shtëpisë "Toena" dhe një nga organizatorët kryesorë të këtij panairi, Fatmir Toçi, u shpreh se "vepra e Ali Aliut dhe recensionet e tij në letërsi janë një zë i ndjeshëm dhe që duhet dëgjuar, sepse ai e ka njohur dhe di ta njohë letërsinë shqipe në të dy kahet e saj, si në atë të traditës, ashtu edhe në atë bashkëkohore". Autor i të paktën 25 vëllimeve, në të cilat spikasin artikuj kritikë, recensione, ese, ai është njëherazi edhe autor i disa antologjive letrare dhe autor i shumë teksteve shkollore. Në katër vëllime, botuar nga shtëpia "Serembe" në Shkup, është grumbulluar gjithë vepra studimore mbi letërsinë e Ali Aliut. I botuar në Maqedoni dhe Bullgari, Ali Aliu është gjithashtu autor i mbi 1 mijë redaktimeve dhe është cilësuar nga shumëkush si një gur prove për vlerat që sjell apo që do të sjellë letërsia shqipe. Piro Misha, studiues dhe përkthyes i njohur, e konsideroi Ali Aliun si një nga figurat më cilësore në letërsinë shqipe dhe si një udhërrëfyes dhe zbulues i vlerave të kësaj letërsie. Vetë profesor Aliu Aliu, duke vlerësuar përvojën e Panairit të Librit në Ulqin, e cilësoi këtë aktivitet një ogur të mirë, si një përkrahje që i bëhet librit. Sipas tij, ky panair është një sinjal i mirë që ofron dhe bashkërendon vlerat në trojet shqiptare.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›