Nisin aplikimet për Tirana Film Festival 2009
Tirana International Film Festival nis aplikimet për filmat e rinj, të cilët do të përzgjidhen më pas për edicionin e shtatë të këtij aktiviteti ndërkombëtar. Duket se këtë vit, festivali, i cili organizohet në Shqipëri duke nisur nga data 28 nëntor deri më 6 dhjetor, do të ketë të reja. Ndryshe nga vitet e mëparshme, ku kanë aplikuar dhe janë pranuar vetëm filmat me metrazh të shkurtër, fiction, dokumentarë, animacion dhe eksperimental, këtë vit do të ketë edhe një seksion për filmat me metrazh të gjatë. Për këtë festival do të ketë dy juri, të cilat do të përbëhen nga regjisorë, skenaristë dhe kritikë, ata që do të vlerësojnë dhe pastaj do të përzgjedhin prurjet më të mira për filmat më të mirë artistik me metrazh të gjatë dhe të shkurtër. Tri kategoritë në të cilat do të konkurrohet këtë vit janë filmat artistikë me metrazh të gjatë, filmat e shkurtër dhe DigiArt Television Short Film Competition. Në secilën prej këtyre kategorive do të ndahen çmimet përkatëse. Programi i çdo dite do të përmbajë një ndërthurje të filmave me metrazh të gjatë e atyre me metrazh të shkurtër në të gjitha gjinitë përkatëse. Gjatë ditëve të festivalit do të ketë edhe retrospektiva, seminare, uorkshope, ku nuk do të mungojnë as prezantimet speciale të filmave. Në bashkëpunim me kompaninë "DigitAlb", filmat me metrazh të shkurtër që do të aplikojnë në këtë festival, do të kenë mundësi të shfaqen në kanalin "DigiArt". Edhe këtë vit nuk do të mungojnë të ftuarit specialë, edhe pse emrat e tyre ende nuk janë bërë të ditur.