Arkivi hap fondet, çdo javë një film falas për publikun
Duheshin përvjetorë kineastësh, apo promovimi i ndonjë katalogu, që dyert e kinemasë së Arkivit Qendror Shtetëror të Filmit të hapeshin. Në këto raste, ekrani i saj është ndezur veçse për ndonjë retrospektivë filmash, me ca aparatura kineze të viteve ‘50, që jo rrallë nuk janë "bindur". Prej tri ditësh në sallën ekzistuese kanë filluar punimet. Është faza e parë e një projekti që synon të bëjë efektive dhe në parametra bashkëkohorë edhe shërbime të tjera brenda Arkivit të Filmit. Përmes këtij rikonstruksioni, që pritet të përfundojë në tetor të këtij viti, synohet kthimi i kësaj salle në një kinema me parametra europianë. Salla prej 120 vendesh, e cila sot është e pajisur me karrige të dhuruara nga ish-Kinostudioja, mobilie të kombinatit "Mihal Duri", do të ketë një pamje të re. Një fond prej 8 milionë lekësh të reja, të lëvruara për këtë fazë të parë nga Ministria e Kulturës, do të përdoren gjithashtu edhe për rregullime të tjera brenda këtij institucioni: sistemi i alarmit, rregullimin e korridoreve, tavaneve dhe dyerve të katit të parë. Pas kësaj, pritet që salla e kinemasë të jetë më shumë funksionale. Të mos hapet sërish vetëm për të organizuar aktivitete promovimi, përvjetorë kineastësh, apo ndonjë projeksion filmash të vjetër me raste të veçanta, siç ka ndodhur brenda muajit të kulturës Shqipëri-Kosovë. Si i vetmi institucion që ruan prodhimet kinematografike ndër vite, qofshin ato shqiptare apo të huaja, filma artistikë, dokumentarë apo xhirime të eventeve të veçanta, është menduar që ky fond të hapet e të prezantohet në një program të vazhdueshëm për publikun e gjerë. Sipas nëndrejtorit të AQSHF-së, Flori Slatina, në këtë sallë të rikonstruktuar të kinemasë do të ketë çdo javë projeksione filmash të vjetër shqiptarë apo të huaj që do të nxirren nga fondi. E vërtetuar tashmë që këto realizime janë ende shumë të kërkuara, jo vetëm nga një brez nostalgjikësh apo edhe të rinj, për këtë arsye, vitet pas ‘90-ës patën nxitur miratimin në masë të këtyre prodhimeve, të cilat gjendeshin në raftet e videotekave, me cilësi që linin shpesh për të dëshiruar. Kohët e fundit, sipas kontratave ligjore, filmat e vjetër shqiptarë janë shfaqur nëpër ekranet televizive. Tashmë vetë Arkivi i Filmit ka zgjedhur të hapë edhe një "dritare" tjetër për këto prodhime të vjetra, tashmë jo vetëm të kinematografisë shqiptare, por edhe të huaja, që ndër vite janë bërë pjesë e fondit. Mbetet ende e papërcaktuar nëse do të jetë e enjtja apo e premtja dita e shfaqjes së tyre. Por çdo javë do të ketë një program të caktuar, pjesë e të cilit, përveç realizimeve të hershme, do të jenë edhe filma të rinj. Deri më tani, salla e arkivit është hapur kryesisht për nxënësit e shkollave të mesme, në raste aktivitetesh të caktuara. Hyrja do të jetë falas dhe sipas Slatinës, projeksionet nuk do të varen nga numri i publikut që do të jetë në sallë. Gjithsesi mbetet për t‘u parë nëse pozicioni i godinës së Arkivit, vendosur në periferi të Tiranës, do ta kushtëzojë numrin e publikut që do të ulet në sallën e rikonstruktuar të kinemasë për të ndjekur projeksionet. Gjithsesi, në këtë zonë të populluar gjithnjë e më shumë vitet e fundit, edhe më parë është folur për projekte që kanë të bëjnë me promovimin e prodhimit kinematografik, duke folur edhe për një qytet të tërë të filmit. Ndërkohë, për t‘iu përshtatur kinemasë së re, përmes një investimi të UNESCO-s është siguruar një aparat bashkëkohor projeksioni, i cili do të mbërrijë në Arkivin e Filmit. Përveç këtij programi, ky institucion do të vazhdojë organizimin e aktiviteteve të mëparshme festive apo përkujtimore. Nëse gjërat do të shkojnë mbarë, synohet që në të ardhmen të zbatohen edhe fazat e tjera të këtij projekti që arrin një vlerë totale prej 350 milionë lekësh të vjetra. Faza e dytë e rikonstruksionit do të përfshijë, mes të tjerash, edhe ndërtimin e një kinoteke dhe mediateke. Bëhet fjalë për ngritjen e sallave me sistem kompjuterik apo me televizorë me video, në të cilat të ofrohet shërbimi për shfaqjen e filmave sipas kërkesave. Përveçse për publikun e thjeshtë, këto salla do të shërbejnë veçanërisht për studiuesit, të cilët do të kenë mundësi t‘i kryejnë më shpejt punët e tyre. Funksioni i Arkivit të Filmit është bërë i qartë pas zgjidhjeve të mosmarrëveshjeve që patën ekzistuar më parë me Qendrën Kombëtare Kinematografike për sa i përket distribucionit të filmave të realizuar para ‘90-ës. Edhe për këto salla ka një marrëveshje me Komisionin Europian, për të siguruar pajisjet e nevojshme. Kjo fazë e dytë e projektit do t‘i takojë vitit 2010, nëse punët do të vazhdojnë siç janë parashikuar. Tashmë jemi mësuar që institucionet shqiptare, përshirë edhe të kulturës, të varen nga zhvillimet dhe ndryshimet e vazhdueshme politike.