E Shtunë, 31 Tetor 2026

Përndjekja e themeluesve dhe fjalimi i cunguar i Edi Ramës

13-06-2011 / Gazeta 55

Nga ceremonia jubilare e 20 vjetorit të PS

Edi Rama s’dha asnjë mesazh falënderimi në ceremoninë jubilare të 20 vjetorit të Partisë Socialiste ndaj themeluesve dhe kontribuuesve të parë që i sollën të majtës së forcë politike të transformuar. Partia më e madhe opozitare kremtonte dje më 12 qershor, 20 vjetorin e transformimit të Partisë së Punës të Shqipërisë (PPSH), në Partia Socialiste e Shqipërisë (PSSH) me kryetar Fatos Nanon. Më 12 qershor 1991 do të shënohej momenti i kthesës për PSSH, duke iu larguar konjukturave vrastare të Partisë së Punës së trashëguar nga Enveri dhe të pasuar nga Ramiz Alia dhe Nexhmije Hoxha.
Ky moment, i quajtur reflektimi dhe transformimi, për herë të parë do ta shpallte PSSH-në si parti liberale dhe me frymë demokratike, e cila vinte si pasardhëse e forcës që kishte sunduar përmes një regjimi diktatorial për 45 vjet me radhë, por që ideologjikisht dukej se nuk do të ishte shëmbëlltyrë e saj, edhe pse në gjirin e PSSH-së aderuan shumë shpejt pinjollët e byroistëve të PPSH-së.
Ndonëse fillimisht hapi i tyre ishte apatik dhe thuajse i pa ndjeshëm, për shkak të faktorëve politikë dhe historikë, shumë shpejt brezi i dytë i nomeklaturës komuniste do kurdiste katrahurën më të rëndë ndaj vendit në mes të viteve ’90-të, gjë që solli ardhjen në pushtet të së majtës së pa ricikluar, por ende ne gjenezën e pushtetit diktatorial të lënë përgjysmë nga Ramizi dhe Nexhmija.
Me zbarkimin e Edi Ramës në Partinë Socialiste, (falë ndihmës së Fatos Nanos, i cili ishte edhe krye-iniciatori për t’i hapur rrugën karrierës politike Edi Ramës), i cili vinte pas eksperiencave të dyshimta me rininë e Parisit, përçarjet e brendshme nuk munguan, çka mirëfilltazi çoi në shpërbërjen e të majtës si dhe copëzimin e saj në disa fraksione racionale që, më vonë do të merrnin me vete edhe një peshë të elektoratit të majtë. Përçarja e të majtës do të thellohej edhe më shumë me ardhjen e Edi Ramës në krye të Partisë Socialiste.
Prirja e tij për të zhbërë potencialin elektoral të PS-së dhe aleatëve të saj, bëri që Lëvizja Socialiste për Integrim e Ilir Metës të shpallte largimin përfundimtar nga aleancat politike me Partinë Socialiste, madje edhe duke e akuzuar këtë të fundit se nuk përfaqëson më interesat e elektoratit të majtë.
Tashmë, Partia Socialiste në 20 vjetorin e transformimit të saj është gjithnjë e më larg përfaqësimit të denjë të elektoratit si dhe respektimit të vlerave demokratike. Aty nuk respektohet më themeluesi i saj, i cili në rastin më të mirë duhet të kishte një vlerësim simbolik apo qoftë edhe një pozicion nderi. Por kjo nuk ndodh, për sa kohë PS ka rënë pre e shantazhit të brezit të dytë bllokmenëve, ndërsa shtypja e mendimit ndryshe dhe izolimi i debatit të hapur, e kthejnë atë në PPSH-në titiste të Enver Hoxhës. Ndaj, dje Edi Rama kishte hartuar një fjalim të cunguar dhe pa asnjë lloj ngjyrimi apo emocioni që të kumtonte momentin e veçantë që është jo pak, por 20 vjetori i themelimit të Partisë më të madhe të së majtës.
Pikërisht, ai fjalim i thatë dhe i mbushur me frazeologji absurde, pa bazë kuptimore e pragmatiste, ishte me qëllim që të shmangej me çdo kusht 12 qershori i ‘91-shit, pasi aty do të dilte në dritë themeluesi Fatos Nano, e kontribuuesit e tjerë Ilir Meta, Rexhep Mejdani, Bardhyl Agasi, Moikon Zeqo apo edhe Servet Pëllumbi.   

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›