E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dëshmia e Valzës: Azizi më tha se Emi kishte rënë me kokë nga makina

SHKRUAN: Leonard Bakillari 27-06-2011 10:54

Tiranë- Dëshmia e Valza Bajrës, këngëtares kosovare dhe mikes së Emit, zë një vend të rëndësishëm në dosjen e prokurorisë. Ajo ka rrëfyer kohën e kaluar me 21-vjeçaren në pub “Venue”, zhdukjen e saj për 30 minuta dhe telefonatën e Aziz Kelmendit, i cili do t’i jepte lajmin e keq. “Emi ka rënë me kokë nga makina ime, gjatë kohës që po udhëtoja”, - i ka thënë biznesmeni kosovar Valzës, pak minuta pas aksidentit, që do t’i merrte jetën këngëtares 21-vjeçare.

Valza Bajra: U njoha me shpjegimet e mësipërme dhe kam për të thënë se unë kam ardhur në Shqipëri më datën 21.02.2011 dhe banoj në shtëpinë e shoqes time, Elsina Hidërsha. Shoqja ime banon në shtëpi me prindërit e saj. Jam dakord që të jap deklarime në lidhje me ngjarjen e ndodhur, sot më datë 27.02.2011, pranë pub “Venue”, ku ka mbetur e vrarë shoqja ime, shtetasja Elsina Hidërsha. Dje me datë 26.02.2011, rreth orës 11:00 unë dhe Elsina, të cilës unë i thërras Emi, shkuam te pub “Venue”. Aty takuam disa miqtë tanë, që kishin ardhur nga Kosova dhe ata quhen Lutfi Z., Valmira, Tina, ndërsa një vajzë dhe një djalë tjetër që ishin me ta nuk i njoh si i kanë emrat, por po ti shoh, jam në gjendje ti njoh. Më pas, shoqja ime Emi po merrej me telefonin e saj dhe po shkruante mesazhe. Adresën se kujt ia shkruante, unë nuk e di. Në këtë kohë që shkruante mesazhe, Emi ishte zbehur në fytyrë komplet dhe unë e pyeta nëse ishte mirë, ndërsa ajo m’u përgjigj: “vazhdo kërce zemër, se mirë jam”. Ndërkohë që unë po kërceja, ajo qëndronte e ulur vetëm në tavolinë dhe vazhdonte të shkruante mesazhe. Ajo kishte veshur një fustan ngjyrë jeshil, një palë çizme të shkurtra, ngjyrë hiri, dhe një xhaketë të zezë. Mbante në dorë një çantë elegante, ngjyrë hiri. Gjatë kohës që unë po kërceja, Emi çohet nga tavolina dhe më thotë se po shkonte në tualet. Mori nga tavolina çantën dhe telefonin. Unë u ula në tavolinë dhe po e prisja. Ora kur Emi u largua nga tavolina ishte rreth 01:40 minuta dhe pasi u vonua 30 minuta, unë i bie telefonit të saj, por rezultonte i fikur. Unë prita dhe për pak minuta në tavolinë dhe më pas shkova në tualet, ku vura re se Emi nuk ndodhej aty dhe diçka nuk shkonte mirë. Më pas, unë u ktheva në tavolinën ku isha ulur me Emin dhe në këtë kohë, më merr në telefon shtetasi Aziz, mbiemrin nuk ia di. Azizi më thotë se Emi është në spital, se ka pësuar një aksident. Unë e pyeta Azizin se çfarë aksidenti ka pësuar Emi dhe ai m’u përgjigj: “Emi ka rënë me kokë nga makina ime, gjatë kohës që po udhëtoja”. Unë e pyeta se në çfarë vendi kishte ndodhur, ai m’u përgjigj se ishte shumë pranë pub “Venue”. Kam për të thënë se disa kohë më parë, Emi më ka folur për shtetasin Aziz, mbiemrin nuk ia di, ku më ka thënë se është nga Kosova dhe se Emi ka kënduar në lokalin e tij në Prishtinë, që quhet “Full House” dhe Azizi po interesohej që Emi të këndonte në Pub-e dhe diskoteka në Kosovë. Kam për të thënë se para disa kohësh, shoqja ime Emi ka ardhur në Kosovë dhe ka qëndruar te shtëpia ime. Gjatë asaj kohe, ajo shkruante mesazhe dhe ishte e shqetësuar. Unë e pyesja se çfarë kishte dhe ajo më përgjigjej se nuk kishte ndonjë problem. Gjë tjetër nuk kam për të thënë. Sa më sipër, janë thëniet e mia, pasi i lexoj i firmos pa vërejtje.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›