E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ali Pasha, në një rrëfim triller të Katherine Neville

Ali Pashë Tepelena është bërë sërish personazh i një libri. Këtë radhë nuk kemi një rrëfim historik. Shkrimtarja amerikane, Katherine Neville, e ka bërë pjesë të librit të saj të ri "The Fire"(Zjarri). Një rrëfim metafizik apo aventurier i ngritur mbi lojën e shahut, që pason botimin e saj të 20 viteve më parë "The eight" (Të tetët). E njohur dhe e përkthyer në shumë gjuhë të botës, Neville ka futur edhe pak histori shqiptare në rrëfimin e saj të radhës. Rregullat e lojës së shahut, të zbatuara në fantazinë e shkrimtares, sjellin për lexuesit një aventurë mistike. "Zjarri" ndërtohet mbi dy linja tregimi. E para vendoset në vitin 2003 në Kolorado. Aleksandra Solarin kthehet në shtëpi për ditëlindjen e së ëmës. Tridhjetë vjet më parë, prindërit e saj, Cat Velis dhe Aleksandër Solarin, mendonin se kishin marrë pjesë nga shërbimet Montglane përreth botës, duke varrosur me ta sekretet e fuqisë që vijnë nga zotërimi i këtyre pjesëve. Por papritur Aleksandra kupton se mamaja e saj është zhdukur. Copëza fjalish që asaj i vijnë në mendje, shoqëruar edhe me ardhjen e disa miqve misteriozë të familjes, e bëjnë të kuptojnë se diçka po ndodhte. Kur ajo zbulon nga tezja e saj dhe mjeshtri i shahut, Lily Rad, që pjesa që besohet se zotëronte fuqi ka dalë sërish në skenë dhe loja është rihapur, Aleksandra zhytet në një udhëtim që e shpie atë nga Kolorado drejt egërsisë ruse. Historia vazhdon në një linjë të dytë. Jemi në Shqipërinë e vitit 1822, disa vite pas revolucionit francez. Ali Pasha e ka inatosur sulltanin dhe tashmë gjendet në prag të një sulmi nga ana e forcave turke. Një nga gurët e shahut misterioz Montglane, nga Franca ka përfunduar në oborrin e Ali Pashës. Shpëtimin e kësaj relikeje, ai ia beson vajzës së tij, Haide, e cila niset në një mision të rrezikshëm për të kaluar kufijtë e Shqipërisë. Nga Shqipëria në Greqi e më tej në Romë, historia e saj përzihet me atë të Lord Bajronit. Katherine Neville është e njohur për rrëfimin e saj, i cili është vështirë të përcaktohet në një gjini të vetme. Në intervistat e dhëna, ajo është shprehur se e pëlqen shumë shahun, që në këto 20 vjet nga libri "The Eight" ka mësuar detaje të tjera nga mjeshtër të kësaj loje. "Më vjen keq që e mësova kaq vonë, kur nuk kam mundësi të përsosem në të", është shprehur ajo. Neville nuk merret vetëm me të shkruarin. Ka studiuar për teknologjinë e informacionit, për letërsinë afrikane, ka provuar të jetë modele, është pjesë e kabinetit drejtues të një sërë muzesh si Muzeu Kombëtar i Artit Amerikan, Muzeu Kombëtar i Amerikanëve Indian, fondacionin "Thomas Jefferson" e njëkohësisht është dhe sponsorizuesja e themelimit të Shoqërisë Ndërkombëtare të Shkrimtarëve Triller. Katherinë Nevillë është përshkruar si kopja femërore e Umberto Eco-s, Alexander Dumas dhe Stephen Spielberg. Ol.li



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›