Punonjësit e Tekstileve, 96 milionë lekë për pagat e prapambetura
Punonjësit e ish-Kombinatit të Tekstileve në Tiranë, do të marrin pagat e prapambetura që nga viti 2006. Këshilli i Ministrave miratoi mbrëmë vendimin për miratimin e fondit prej 96 milionë lekësh, për likuidimin e pagave dhe të detyrimeve të prapambetura për punonjësit e kësaj ndërmarrjeje shtetërore. Fondi i miratuar nga qeveria përfshin pagat e prapambetura, sigurimet shoqërore e shëndetësore dhe tatimin mbi pagë, për periudhën prill-dhjetor 2006, si dhe vitet 2007 e 2008.Sipas vendimit, shuma prej 96 milionë lekësh do të përballohet nga buxheti i investimeve i vitit 2008, programi “Strehim dhe urbanistikë”, miratuar për Ministrinë e Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit.