E Shtunë, 31 Tetor 2026

Legalizohen mbi katër mijë parcela informale

Miratohen shpërblimet e pronarëve, të cilëve u janë zënë tokat nga të palegalizuarit në Tiranë, Elbasan e Shkodër

TIRANË- Një ditë përpara Krishtlindjeve, qeveria shqiptare ka kaluar dy vendime në lidhje me pronarët e vjetër dhe pronarët e rinj, që shpresojnë të përfitojnë shtëpinë në sajë të procesit të legalizimeve. Vendimi i parë ka të bëjë me kompensimin e pronarëve, të cilëve u janë zënë tokat nga ndërtimet informate. Bëhet fjalë për shpërblimin e pronarëve në rrethet Tiranë, Elbasan dhe Shkodër. Ndërkohë, vendimi i dytë është në lidhje me legalizimet dhe parcelat ndërtimore. Këto të fundit do të kalojnë në favor të personave që posedojnë ndërtimet informate në rrethet Tiranë, Vlorë, Kukës, Shkodër, Elbasan, Lezhë, Fier, Durrës, Berat dhe Gjirokastër

Ish-pronarët

Gjatë mbledhjes së djeshme, qeveria vendosi shpërblimin e pronarëve të pasurive të paluajtshme, pronë private, të zëna nga ndërtimet informale, në qarqet e Tiranës, të Shkodrës dhe të Elbasanit. “Pronarët e pasurive të paluajtshme, për sipërfaqen e zënë nga ndërtimet informale, të shpërblehen në vlerë të plotë, sipas masës përkatëse, përkatësisht, për sipërfaqen 27 935.46 (njëzet e shtatë mijë e nëntëqind e tridhjetë e pesë, pikë dyzet e gjashtë) m2, tokë truall, me vlerë të përgjithshme, 464 899 696 (katërqind e gjashtëdhjetë e katër milionë e tetëqind e nëntëdhjetë e nëntë mijë e gjashtëqind e nëntëdhjetë e gjashtë) lekë”,- thuhet në vendimin e djeshëm të qeverisë. Sipas tij, vlera e përgjithshme për shpërblimin të përballohet nga fondi i kompensimit të pronave, të parashikuar nga ligji nr. 9235, datë 29.7.2004, “Për kthimin dhe kompensimin e pronës”, të ndryshuar. E, menjëherë pas këtij vendimi, i takon Zyrës Qendrore të Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme që të bëjë ndryshimet përkatëse në regjistrat e pasurive të paluajtshme, për kalimin e pasurisë së paluajtshme të kompensuar, në pronësi të shtetit. Mbikëqyrja e këtij vendimi do të bëhet nga Ministria e Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit dhe Agjencia e Legalizimit, Urbanizimit dhe Integrimit të Zonave/Ndërtimore Informale.

Legalizimet

Vendimi i dytë i marrë në mbledhjen e djeshme të qeverisë ka të bëjë me kalimin në pronësi të disa parcelave ndërtimore, në favor të poseduesve të objekteve informale. Ky vendim ka lidhje me më shumë se katër mijë parcela dhe ndërtime të paligjshme në dhjetë rrethe të vendit dhe prek mijëra familje shqiptare. Propozimi është bërë nga ALUIZNI dhe pikërisht kjo agjenci do të mbikëqyrë procesin e legalizimit të këtyre parcelave informale. “Ngarkohet Agjencia e Legalizimit, Urbanizimit dhe Integrimit të Zonave/Ndërtimore Informale për nënshkrimin e kontratave të shitblerjes”,- thuhet në vendimin e qeverisë.

TABELA E PARCELAVE TË LEGALIZUARA

Qarku Tiranë, 1 449 (njëmijë e katërqind e dyzet e nëntë) parcela ndërtimore, me sipërfaqe të përgjithshme trualli 634 051,50 (gjashtëqind e tridhjetë e katër mijë e pesëdhjetë e një, presje pesëdhjetë) m2

Qarku Vlorë, 1 306 (njëmijë e treqind e gjashtë) parcela ndërtimore, me sipërfaqe të përgjithshme trualli 517 079, 26 (pesëqind e shtatëmbëdhjetë mijë e shtatëdhjetë e nëntë, presje njëzet e gjashtë) m2

Qarkun e Shkodër, 75 (shtatëdhjetë e pesë) parcela ndërtimore, me sipërfaqe të përgjithshme trualli 24 176 (njëzet e katër mijë e njëqind e shtatëdhjetë e gjashtë) m2

Qarku Elbasan, 1 036 (një mijë e tridhjetë e gjashtë) parcela ndërtimore, me sipërfaqe të përgjithshme trualli 314 664,30 (treqind e katërmbëdhjetë mijë e gjashtëqind e gjashtëdhjetë e katër, presje tridhjetë) m2

Qarku Lezhë, 129 (njëqind e njëzet e nëntë) parcela ndërtimore, me sipërfaqe të përgjithshme trualli 58 310 (pesëdhjetë e tetë mijë e treqind e dhjetë) m2

Qarkun Kukës, 40 (dyzet) parcela ndërtimore, me sipërfaqe të përgjithshme trualli 18 690,79 (tetëmbëdhjetë mijë e gjashtëqind e nëntëdhjetë, presje shtatëdhjetë e nëntë) m2

Qarku Gjirokastër, 63 (gjashtëdhjetë e tre) parcela ndërtimore, me sipërfaqe të përgjithshme trualli 20 143,70 (njëzet mijë e njëqind e dyzet e tre, presje shtatëdhjetë) m2

Qarku Fier, 47 (dyzet e shtatë) parcela ndërtimore, me sipërfaqe të përgjithshme trualli 17 757,42 (shtatëmbëdhjetë mijë e shtatëqind e pesëdhjetë e shtatë, presje dyzet e dy) m2

Qarku Durrës, 441 (katërqind e dyzet e një) parcela ndërtimore, me sipërfaqe të përgjithshme trualli 172 107,84 (njëqind e shtatëdhjetë e dy mijë e njëqind e shtatë, presje tetëdhjetë e katër) m2

Qarku Berat, 81 (tetëdhjetë e një) parcela ndërtimore, me sipërfaqe të përgjithshme trualli 25 095 (njëzet e pesë mijë e nëntëdhjetë e pesë) m2

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›