E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ali Ukaj, e verteta dhe drejtesia

"E kam si para syve. Buzëqeshjen e tij, gatishmërinë e tij për t‘u ndihur të tjerëve, etjen e tij për të qëndruar sa më gjatë me miq, vezullimin e syve të tij prapa syzeve, sa herë që dëgjohej fjala Kosovë, pastaj mirësinë e tij pa fund…". Kështu duhej të niste një shkrim për Ali Ukajn, njërin prej të parëve dëshmorë jo vetëm të Kosovës, por edhe të lirisë. Jo vetëm të asaj të shtypit, por asaj më të madhes, lirisë së vërtetë, asaj që nuk njeh kompromise, asaj që nuk bën lajka dhe që nuk ngatërrohet ndër labirinthe vrastare, asaj, që ne, për fat të keq tonin dhe të tjerëve që na rrethojnë, ende nuk e kemi njohur.

Autori i këtyre radhëve nuk e ka zakon të përmendë fjalën "unë". Ai beson se kështu do të mendonte sot edhe Ali Ukaj. Kam menduar se kjo e (pa)drejtë u takon që ta mbrojnë vetëm politikanët. Apo të tjerë që me ‘shown‘ dhe me veten ndërtojnë ngrehina të mëdha e të suksesshme. Vetëm 24 orë pasi dëgjova se janë rihapur hetimet për një nga vrasjet më të mistershme të Shqipërisë sonë të trazuar në këta 10-15 vitet e fundit vendosa, bashkë me miratimin e kolegëve të mi të vjetër, por edhe të atyre të "Shqip", të shkruaj në vetë të parë.

***

Përballë kam një foto, në të cilën kemi dalë, unë, Fatos Baxhaku, Ali Ukaj i ndjerë, një mik nga Tuzi dhe një boshnjak nga Podgorica. Kemi dalë mbi urën e Moraçës në Podgoricë, bash e në vendin ku ishte vrarë në 1916-ën Isa Boletini dhe njerëzit e tij të afërt. Ishte tetori i 1995…

Kontrabanda këndej e andej kufirit më Jugosllavinë po bënte kërdinë. Shumë fakte ishin botuar, jo vetëm në shtypin tonë, por ishin deklaruar edhe nga autoritetet ndërkombëtare të embargos. Shqipëria, fare hapatazi po e prishte embargon. Asokohe ishte më kollaj të mësoje ndonjë gjë në Mal të Zi, se sa në Shqipëri. E kështu vendosa, bashkë me Aliun, që të kalonim matanë, si turistë të thjeshtë. Aliu, parimisht duhej të ishte një njohës i mirë i serbo-kroatishtes. Porse Aliu foli vetëm shqip, atje ku mundej. Atje mësova se ishte ilegal në Jugosllavinë e mbetur. "Nuk flas dot - më tha - nëse e kuptojnë dialektin tim kroat, atëherë më kapin sakaq". Kështu nisa të vëllazërohem me "Liun", sikurse e thërrisnim të gjithë ne, shokët e tij. Për herë të parë e kam njohur, nga një shoku e kolegu im i afërt, Edmond Laçi. Ishte i pari Mondi që i dhuroi "Liut" librat e gjuhës shqipe të 8-vjeçares. Ishte i pari ai që bësoi te Aliu si gazetar dhe si shok. Pastaj ky njeri, në dukje i imët, por shpirtmadh nga natyra u bë gjithnjë e më i afërt me ne. Dori Daka, shefja e tij në punë, Sokol Balla, shok e më shumë se vëlla me të, na e bënë edhe më të afërt lidhjen. Aliu u bë pjesë shumë shpejt, me shumë dinjitet, një pjesëtar i denjë i "familjes së madhe".

Vetëm disa kohë më parë se të ndërmerrnim së bashku udhëtimin për në Podgoricë, Aliu më kishte folur për një grup, që ne asokohe as që ia kishim dëgjuar emrin. Ishte një grup kosovar ilegal, i cili ndryshonte nga të tjerët, sepse në thelb të lëvizjes së tij kishte vënë guerriljen. Ne i takuam përfaqësuesit e atij grupi, bashkë me një kolege, korrespondente e një agjencie të njohur amerikane dhe folëm gjerë e gjatë. Rezultat i kësaj bisede ishte një gjysmë faqe intervistë. Ishte hera e parë në shtyp që përmendej ideja e një lëvizjeje të armatosur nën trojet shqiptare nën Jugosllavinë. Në fakt, ishte thënë shumë, por asokohe askush nuk e shkonte ndërmend luftën çlirimtare në Kosovë. "Askush", kam parasysh ne. Aliu e dinte se ç‘po ndodhte.

Pastaj erdhi "marrëzia" e 1997-ës. Gazetat u mbyllën për shumë kohë. Njerëzit lëvizën, u ruajtën, u munduan të harrojnë dhe ta nisin çdo gjë nga fillimi. Aliu rrinte me ne, trazohej sa herë që dëgjonte ndonjë fjalë a lajm të keq, jo vetëm nga Kosova, por edhe nga Shqipëria. "Mos ma shaj Kosovën, ore ti… se ta baj…!", i pat thënë njëherë një kolegut tone, që bënte edhe shaka jashtë asaj që po ndodhte. Në verën e 1997-ës u duk sikur marrëzitë kaluan. Iu kthyem punëve dhe së bashku me ne, edhe Aliu, tashmë me të gjithë tagrin e një gazetari të sprovuar. E kishte kaluar njësoj si ne të tjerët sprovën e madhe të çmendurisë.

***

Në fillim dëgjova vetëm një ngashërimë të gjatë. Ishte si një kujë që vinte nga kush e di se ç‘vend i mallkuar. Mesa ngashërimave arrita të dëgjoj në telefonin celular (ende të rrallë për atë kohë): "Jam Lenci, kanë vrarë Liun!". Ishte Lorenc Vangjeli, shoku ynë. Rreth meje ishin Edmond Laçi, Hektor Pustina, Armand Shkullaku… Pas ngrirjes së parë vrapuam në Komisariatin 3 të Tiranës. Nuk e di nëse isha unë, apo ishin shokët e tjerë që mbajtëm njëri-tjetrin. Në korridorin e rajonit të policisë qëndronte një figurë e zbehtë, gati-gati në të jeshiltë, me veshjet e mbushura me gjak.

Njëri prej nesh tha: "Ky është qeni!" dhe atëherë vetëm një fill i hollë na ndau nga humbja e arsyes. Na u tha zyrtarisht se Liu, më i forti fizikisht nga ne të gjithë, i apasionuar pas karatesë, kishte vdekur në një moment shoku nervor, ndërsa ishte duke debatuar me një kushëri të vetin, i cili sapo kishte ardhur nga Zvicra. Ai njeriu "jeshil", i gjakosur, ishte "kushëriri". Shkaku i sherrit vrastar paskësh qenë historia e një pasaporte, e cila nuk u sqarua kurrë. Pak kohë më vonë mësuam se kushëriri u shpall "i gjymtuar mendërisht" dhe u zhduk andej nga Zvicra, nga kishte ardhur. Shumë kohë u fol atëherë për katër vrima të vogla të barazlarguara që ishin parë në shpinën e Aliut. Ishin të çuditshme, por për ato askush nuk e vrau mendjen.

Askush nuk u pajtua me mendimin se Ali Ukaj, gazetari i vrarë, nuk kishte shtëpi në Shqipëri. Për dy javë me radhë, aq sa u desh që të kryheshin procedurat, në një shtëpi të thjeshtë në "Rrugën e Dibrës", asokohe redaksia e "Gazetës Shqiptare", u bë një vend pelegrinazhi. Kosovarë, studentë, shokë, vajza e djem të rinj, kalimtarë të panjohur, kolegë pa fund, politikanë të të gjitha kahjeve, i bënë respektin e fundit Ali Ukajt, gazetarit të vrarë në rrethana misterioze. Momentet e fundit shokët nuk donin të ndaheshin me të të. Arkivoli me flamurin kuq e zi, që e desh më shumë në botë, eci për do kohë i mbajtur mbi shpatullat e shokëve. Dhe pastaj mori rrugën për në Kosovë, i ngarkuar mbi një furgon të bardhë me shirita të zinj.

***

E kemi dashur Aliun afër, kur në korrikun e 1999-ës Kosova brohoriste e çliruar, e kemi kujtuar në ditët e vrullshme të shkurtit të këtij viti. Do të ishte i lumtur. Do të kishte qeshur pa fund dhe do të na çonte në shtëpinë e tij. Kështu na kishte premtuar sa e sa herë. "Do të vijë dita e do të të shkojmë në kullën time - thoshte sa e sa herë - atëherë keni me njoftë tamam burra Kosove". Erdhi një ditë e historia e këtij dëshmori të lirisë u hap edhe një herë. Neve, shokëve të tij, na u duk si një ëndërr. Të kërkosh të vërtetën është gjithnjë një gjë e mbarë. Vetëm kështu horrat vrastarë do të fshihen qosheve. Vetëm që të kenë frikë u duhet vajtur gjërave deri në fund.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›