E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kërkohet kryeopozitari

Kryesocialisti Edi Rama vazhdon "Dialog me Shqipërinë", ndërsa udhëheqësi i LSI-së, Ilir Meta, ka nisur itinerarin në kërkim të referendumit për të "mbrojtur Kushtetutën". Kjo është lëvizja e fundit e ndarë në dy itinerare, brenda së majtës. Por natyrisht, qëllimi nuk përfaqësohet vetëm në kaq. Ilir Meta deri tani ka mundur të shtojë kapacitetin përfaqësues të ankesës, duke fituar edhe pjesëmarrjen e lidershipit që kryesoi spektrin e së majtës në kaq vjet politikë. Në fakt, ai shfrytëzoi pakënaqësinë e kësaj udhëheqësie në momentin kur u vendos përmes marrëveshjes Berisha-Rama për sistemin e ri zgjedhor, atë të "proporcionalit rajonal" dhe me lista të mbyllura. Kësaj pakënaqësie iu shtua një hap më vonë edhe marrëveshja e pasqaruar, si dhe rrethanat ende të panjohura për amendimin e Kushtetutës.

Këto dy arsye janë tashmë argumentet kryesore që po i mban diametralisht të përkundërt Edi Ramën dhe Ilir Metën. Edi Rama po bën rolin e të qetit, ndërsa Ilir Meta të qenit ultimativ e bashkëshoqëron edhe me veprime konkrete, me lëvizje, bashkëbisedime dhe negociime për të pranuar aksionin e tij politik. Në këtë aksion, Ilir Meta është në dukje i gatshëm të ndryshojë edhe strukturën përfaqësuese të subjektit të tij politik, duke besuar se gjendet pranë një formule që mund ta favorizojë shumë më tepër nga sa është diskutuar deri tani në zgjedhjet e ardhme të 2009.

I afruari me LSI-në, politikani që e ka llogaritur jetën e vet politike si shërbim ndaj principeve morale, - Petro Koçi - së fundi është i pari që sugjeron pagëzimin e koalicionit - pranë Metës - si "Aleanca Socialiste për Integrim". Megjithatë shantazhi mbi Ramën ende s‘ka ngjitur kuotat e parashikuara. Ditë me më tepër thashetheme dhe pohime politike kanë për të mbërritur. Zhurmnaja e referendum-kërkuesve duhet marrë në konsideratë. Ajo, sipas gjasave, nuk ka për të qenë vetëm zhurmë, por edhe veprim politik i një grupi politik me më tepër se një drejtues. Nuk është fjala për një protagonizëm të vetëm, por për disa protagonistë dhe disa pakënaqësi të mbledhura së bashku. Kjo sintoni të majtësh, realisht dëmton kryesocialistin dhe në logjikën e drejtpërdrejtë paraelektorale, vetë Partinë Socialiste.

Natyrisht, kjo është pjesë e skemës së presionit dhe të formësimit të një strukture opozitare përballë Ramës. Kauza për këtë qëllim tashmë është konkrete dhe mjaft e sintetizuar. Përdorimi publik i kësaj kauze, shton edhe efektet politike në elektoratin me këtë përkatësi. Përballë të aleancuarve pranë Metës, kryesocialisti Rama nuk ndihet mirë. Ndonëse vijon të bëjë të qetin. Qetësia e tij është krejt e prishur. Vetmia e tij, duket si mundësi madhimi e protagonizmit të tij. Mirëpo, realiteti brenda godinës së PS-së, lexohet ndryshe dhe përjetohet si një gjendje ankthi dhe pritmënie. Në këtë mënyrë se si po rrjedhin zhvillimet dhe se si po ngjasin lëvizjet, autoriteti i kryeopozitarit të vendit është në rënie. Periudha postmarrëveshje ose postvotim në Kuvend, është periudhë që e ka spostuar Edi Ramën nga misioni prej prijësi për gjithë të majtën, duke e bërë më të lehtë perceptimin e tij si kryetar i partisë që zmadhon shtatin e tij në disproporcion me rritjen e saj.

Një perceptim të tillë mbartim për Ilir Metën prej kaq vjetësh, duke e konsideruar atë me më tepër shtat se partia e tij. Ky perceptim me lëvizjen e fundit dhe me aksionin e ndërmarrë, ka gjasa të ndryshohet. Pasi ai, duke u bashkuar me disa krerë të partive të vogla të së majtës, të investuara si logo dhe qëndrim brenda spektrit gjatë gjithë tranzicionit, ka bërë të mundur të fitojë një imazh aleancisti. Natyrisht, shumëkush mund ta rezervojë mendimin se modeli i politikanit Meta, mbart edhe sindromin e karrigekërkuesit me çdo kusht, por kësaj here ai ka arritur bukur ta shmangë akuzimin ose qoftë edhe ta zhvleftësojë përmes motivit. Përballë kësaj lëvizjeje, Edi Rama është ekspozuar keq. Heshtja dhe mungesa e shprehjes së udhëheqësve të tjerë të PS-së, karshi kësaj situate, tradhton vetë Edi Ramën dhe autoritetin që duket se po i imponon partisë.

Socialistët janë bërë më të bindur, por kanë shmangur diskutimin dhe debatin e lirë, kanë kapërcyer vendimmarrjen përmes forumeve dhe kanë pranuar verdiktin e kryetarit. Diçka të tillë kishin vite e vite që s‘e bënin. Këtë heshtje tradhtuese në PS, më mirë se çdokush e lexon Ilir Meta. Është kjo arsyeja që në deklarimet e tri ditëve të fundit ai ka kërkuar solidaritet me deputetët e PS-së. Shantazhi i tij i thjeshtë është për të lëkundur të pazë, është për të bindurit dhe të paqëndrueshmit e PS-së. Kjo parti prej gati pesë vjetësh nuk ka dhënë prova stoikësh, por dëshmi konjukturalësh. E në këtë gjendje, Edi Rama ka arsye të mjaftueshme dhe detyrim parësor të rikthehet në pozicionin e kryeopozitarit. Për ta bërë këtë, ai ka nevojë të verë në pozicionin e duhur artikulantët me merita të partisë së vet. "Shpërfillja e përgjegjësive politike nuk mund ta lerë shoqërinë vetëm në duart e gjykatësve", shprehet spanjolli Ramoneda, duke folur për "Ligji dhe e vërteta".

Socialistët nuk janë sot në pozitën e tyre të shëndoshë opozitare. Kjo është lehtësisht e lexueshme dhe e konstatueshme prej disa faktorëve me peshë në shoqërinë e sotme. Alternativa e daljes plotësisht nga imazhi i politikanit konfliktual nuk është shpëtim, ajo është sjellje e nevojshme, por jo zgjidhje për misionin dhe detyrimin që mbart në cilësinë politike të kryeopozitarit. Thyerja e këtij miti, nuk mund të bashkëjetojë me mëkatin e moskryerjes së detyrimit funksional dhe të shërbimit politik ndaj shoqërisë. Ndërsa mund të tolerohet mungesa e ndërgjegjes si përkatësi, nuk ka se si të të falet ikja nga misioni i recensës së qeverisjes. Për një kryeopozitar gjithmonë ‘qeverisësit janë ata që kanë më shumë frikë". Kjo shmangie nga ky mision, qoftë edhe për pak ditë, të dëmton më shumë se çdo gjë tjetër. Kjo gjë të zvogëlon në mënyrë të pandreqshme. Ky zvogëlim ndodh edhe atëherë kur shtati i gjatë nëpër "Dialogë...", del mbi turmat dhe qytetarët që vijnë për të shuar kureshtjen dhe për të të parë nga afër, për shkak të të qenit në periferitë e harruara. Për t‘u rikthyer sa më parë në këtë mision të kërkuar të kryeopozitarit, Edi Rama duhet të risjellë në ndërgjegje të vërtetën se "demokracia -jeta aktive e polis-it nuk është unitet, por pluralizëm".


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›