E Shtunë, 31 Tetor 2026

Zhdukja e Belegut, në pyetje 25 persona

Krimet e Rënda do të verifikojnë takimet e fundit që ka bërë ish-këshilltari i ministrit të Ekonomisë

Prokuroria e Krimeve të Rënda do të marrë në pyetje personat e fundit që kanë takuar Eduart Belegun, ish-këshilltar i ministrit të Ekonomisë, Dritan Prifti, i zhdukur prej disa ditësh pa lënë asnjë gjurmë. Burime nga akuza qendrore thanë se Belegu ka takuar rreth 25 persona para se të zhdukej, ndërsa personat që kanë komunikuar, qoftë fizikisht apo verbalisht, do të thirren për dëshmi në prokurori. Grupi hetimor ka dyshime se gjatë takimeve me këta persona, Belegu u ka bërë me dije shqetësimet e fundit në lidhje me punën apo me hallet familjare, të cilat nga akuza mund të konsiderohen edhe si pista të zhdukjes së mundshme. Aktualisht, grupi i hetimit po kryen verifikime, ndërsa ende po pritet ekspertiza e automjetit, si dhe tabulatet telefonike. Gjatë këqyrjes së këtyre fakteve, hetuesit mund të përfitojnë shumë detaje të vlefshme që mund të hedhin dritë për zhdukjen e Belegut, ndërsa dosja penale është regjistruar për “rrëmbim për qëllime përfitimi”.

Hetimet

Ish-këshilltari i ministrit të Ekonomisë është zhdukur prej më shumë se një jave. Zhdukja po hetohet nga një grup hetimor i Krimeve të Rënda, të cilët kanë marrë kontakt me familjarët e tij. Nga materialet e deritanishme ka rezultuar se automjeti i tij është gjetur në periferi të Tiranës, ndërsa oficerët e policisë gjyqësore e kanë këqyrur atë. Nga materialet e para hetimore nuk ka rezultuar asnjë e dhënë që mund të hedhë dritë mbi një rrëmbim të mundshëm, ndërsa burimet saktësojnë se “janë të gjitha pistat në hetim”. Më tej sqarojnë se sot priten të verifikohen konfliktet e mundshme të Belegut, si dhe do të rimerren në pyetje familjarët e tij. Në fund të këtyre veprimeve hetimore do të hartohet një listë me personat e dyshuar dhe do të verifikohet vendndodhja e tyre, si dhe konfliktet që kanë pasur me ish-drejtorin e DARFO-s. Pistat e mundshme të rrëmbimit janë konfliktet gjatë punëve të Belegut. “Materialet e ardhura nga policia do të riverifikohen. çdo e dhënë do të merret në konsideratë nga hetuesit e Krimeve të Rënda dhe në bazë të tyre do të ngrihen edhe pistat hetimore”, thanë burimet nga akuza qendrore.

Zhdukja

Ditën që është zhdukur, Belegu ka lajmëruar vëllain me një mesazh se po largohej për disa ditë. Ai i ka kërkuar të vëllait që të mos e kërkonin, por ky i fundit e ka denoncuar rastin në polici, ndërsa telefoni i Eduart Belegut rezulton vazhdimisht i fikur. Fillimisht policia ka hedhur dyshime se ai mund të jetë larguar nga shtëpia pa pasur ndonjë konflikt të mundshëm, pasi të afërmit dhe miqtë kanë deklaruar në polici se ish-drejtori i “DARFO”-s ishte larguar edhe herë të tjera në këtë mënyrë. Megjithatë grupi hetimor deklaron se po pret të marrë tabulatet telefonike të Belegut, nga ku mund të përcaktojë edhe pistën e saktë të zhdukjes. Gjithashtu po mbahen nën vëzhgim personat e dyshuar, ndërsa familjarët janë lutur që të bashkëpunojnë me prokurorinë për zbardhjen e kësaj ngjarjeje.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›