E Shtunë, 31 Tetor 2026

Alia: Pse e pranova pluralizmin dhe si duhet bërë ai

Mesazhi i udhëheqësit të fundit komunist, drejtuar popullit, ditën kur u shpall themelimi i PD-së

Pas takimit të 11 dhjetorit 1990, lëvizja studentore ishte finalizuar drejt një rruge të vetme, krijimit të së parës parti politike jokomuniste në vend, duke shënuar nisjen e pluralizmit, në një vend ku prej vitit 1945, kishte pasur vetëm një parti politike, PPSH-ja. Zyrtarisht, PD-ja do të shpallej pasditen e 12 nëntorit, ndërsa pak orë më vonë, në një dalje të paplanifikuar në RTVSH, sqaron takimin e një nate më parë, komenton situatën politike dhe jep udhëzimet se si duhet të veprojnë komunistët dhe mbarë populli, këtej e tutje, kur në vend do të lejohej liria e mendimit dhe e shprehjes.

Vetëm 24 orë pas takimit me studentë dhe pedagogë në Pallatin e Brigadave, Ramiz Alia flet ende për unitet në PPSH, për angazhim të të gjithë komunistëve që, edhe pse me një shoqëri pluraliste, PPSH-ja të vijonte sundimin në vend. “Ne jemi të bindur se njerëzit tanë, duke ndarë të njëjtin besim si deri më sot, do të jenë të mbledhur rreth partisë, për ta çuar vendin përpara”, - shprehet ai në mesazhin e tij radioteleviziv. Dhe, më pas, vijojnë këshillat se si duhet bërë demokratizimi i jetës së vendit, si duhen ruajtur rendi dhe qetësia, dhe si duhet të ndëshkohen ata që i cilëson “provokatorë”, apo “elementë keqbërës”.

Më poshtë është mesazhi i Ramiz Alisë drejtuar popullit shqiptar, dhënë nga RTVSH-ja, më 12 dhjetor 1990, ora 20.00.

Të dashur vëllezër dhe motra!

Mbrëmë, unë pata një takim me përfaqësues të studentëve të universitetit “Enver Hoxha”, jo vetëm për problemet dhe shqetësimet e tyre, por edhe për problemet dhe shqetësimet që ka gjithë vendi, gjithë populli. Sot mendova t’u drejtohem gjithë njerëzve për të qartësuar disa nga momentet politike të situatës që po jetojmë, të situatës që po na shqetëson dhe që duhet të përballemi.

Ju jeni njohur me vendimet më të fundit të Komitetit Qendror të PPSH-së. Ne kemi vendosur që të mbledhim kongresin vitin tjetër dhe, së shpejti, edhe takimin kombëtar të aktivistëve të partisë për të diskutuar platformën elektorale për zgjedhjet në Kuvendin Popullor. Këto takime na bëjnë ne të mundur të bëjmë një analizë të situatës ku po jetojmë, si dhe të përcaktojmë rolin dhe detyrimet e çdo komunisti për të ardhmen e afërt. Ne jemi të bindur se njerëzit tanë, duke ndarë të njëjtin besim si deri më sot, do të jenë të mbledhur rreth partisë për ta çuar vendin përpara. Partia e ka bërë tashmë të qartë qëndrimin e saj në publik, se krijimi i organizatave politike të pavarura, natyrisht të atyre që u përmbahen ligjeve në fuqi, dhe u përgjigjen interesave të përbashkëta të atdheut dhe të kombit tonë, është në përfitim të demokratizimit të mëtejshëm të vendit. Ky qëndrim i Partisë pasqyron një lidhje të rëndësishme të proceseve tona demokratike, të cilat janë të pakthyeshme.

Është e kuptueshme se ne po shkojmë në një stad të ri të zhvillimit të marrëdhënieve politike me vendin, për të cilën ne do të duam jo vetëm eksperiencë, por edhe nevojën e mekanizmave juridikë, konceptet për etikën politike dhe dialogun e frytshëm. Ne të gjithë duhet të jemi të shqetësuar dhe të punojmë që të gjejmë rrugët më të mira, për krijimin e kushteve më të mira dhe të duhura, për të ruajtur liritë dhe të drejtat e individëve, për të mbrojtur interesat thelbësore të grupeve shoqërore dhe shtresave të ndryshme sociale, duke garantuar lirinë, pavarësinë dhe integritetin territorial të atdheut.

Ne të gjithë ndajmë të njëjtën pikëpamje për të mirat e demokracisë, por unë kam shqetësimin që dua ta ndaj me ju: Të dashur komunistë dhe jo komunistë, vëllezër dhe motra, dhe i bëj thirrje ndërgjegjes tuaj politike dhe patriotizmit, që të evitojmë çdo gabim, që mund të ketë pasoja për të gjithë vendin. Demokracia mund të kuptohet në disa individë dhe mjedise shoqërore si çlirim prej normave politike, morale dhe ligjore. Disa njerëz mund të kërkojnë të imponojnë opinionet dhe pikëpamjet e tyre, pa marrë parasysh interesat e përgjithshme. Nëse këto rriten dhe përhapen, atëherë ekziston rreziku për vendin që të destabilizohet dhe të shkojë në anarki.

Shqipëria, njerëzit tanë, kanë nevojë për një demokraci bashkëkohore, një demokraci që ruan vlerat shpirtërore tëreja dhe të vjetra të popullit tonë, një demokraci që bën të mundur zgjidhjen e problemeve përmes mekanizmave më të mirë. Një demokraci e tillë arrihet përmes një dialogu konstruktiv dhe vëzhgimit të interesave të klasës punëtore, fshatarësisë kooperativiste, inteligjencës, grave, të gjithë njerëzve.

Tani nuk është koha për teorizime, por për diskutime të gjera, se si të zgjidhim më mirë problemet që shqetësojnë popullin. Ne duhet të vëmë në peshoren e arsyes zërat e logjikës dhe rekomandimet objektive. Njerëzit tanë nuk do të lejojnë asnjeri që të shkatërrojnë atë që kemi ngritur me gjak dhe sakrifica, prej çlirimit e deri sot .

Demokracia dhe pluralizmi, qoftë ideologjik apo politik, duhet t’i çojë njerëzit drejt bashkimit kombëtar, jo drejt ndarjes. Ne duhet të marrin në konsideratë dhe të ruajmë fort atë që na bashkon ne si qytetarë të këtij vendi, si bij dhe bija të këtij vendi. Ju do ta kemi të vështirë të gjeni njerëz si tanët, që kanë vuajtur nga ndarjet gjatë kursit të historisë. Nëse ne shohim prapa në histori, ajo na mëson se forca të errëta kanë qenë kundër interesave të Shqipërisë, që kanë bërë ndarje mes shqiptarëve. Prandaj, të mos i lejojmë ata të futen mes nesh.

Zhvillimet demokratike me orientime afatgjata, duhet të vazhdojnë. Unë e kuptoj dhe e vlerësoj dëshirën e mirë të të gjithë atyre që duan përshpejtimin e reformave të nisura nga partia jonë. Unë dua t’ju siguroj ju, se edhe ne, gjithashtu, si iniciatorë, subjektivisht jemi për shpejtimin e hapave. Ne duam të arrijmë zhvillimet demokratike vetëm përmes rrugës demokratike, përmes punës, kulturës, arsyes dhe jo përmes dhimbjeve dhe humbjeve.

Demokraci nuk do të thotë vetëm liri dhe të drejta, siç mund të mendojë ndonjëri, demokraci do të thotë edhe detyrime. Ne duhet të ndërtojmë një shtet të qëndrueshëm dhe të fortë juridik, për ta bërë jetën e çdo qytetari të jetë e vlefshme, punën e tij të respektuar, dëshirat e tij pa presione, zhvillimi i tij të pacenuar. Është pikërisht arsyeja që ligji duhet të jetë mbi të gjithë dhe mbi të gjitha. Nëse ne do ta kërkojmë demokracinë duke dhunuar ligjin, ne nuk do ta arrijmë atë. Kjo është koha që ne të tregojmë se jemi popull i qytetëruar, se jemi të aftë të zbatojmë leksionet prej eksperiencës sonë dhe asaj të të tjerëve. Është koha që, në këto momente, të hedhim poshtë akuzat tradicionale ndajshqiptarëve si një popull i pacivilizuar.

Është e qartë për të gjithë se në kohën e proceseve të shpejta të demokratizimit, mund të dalin në skenë demagogë të ndryshëm politikë, elementë keqbërës apo provokatorë. Njerëzit, njerëzit e ndershëm dhe patriotë, duhet të jenë vigjilentë, kështu që interesat e atdheut dhe jeta e njerëzve, nuk mund të hidhen poshtë. Ne duhet të mos harrojmë se kemi armiq që duan të na ndajnë, që duan të shohin keq e më keq. Përballë tyre ne duhet të qëndrojmë gjithnjë të bashkuar.

Të dashur motra dhe vëllezër!

Ne kemi hyrë në rrugën e demokracisë dhe jemi të bindur se duhet ta fitojmë këtë betejë të re historike, por kohërat janë të vështira dhe udha e demokracisë nuk është fushë me lule. Unë besoj plotësisht te klasa punëtore dhe fshatarësia patriotike, te vajzat dhe djemtë e Shqipërisë, te gratë tona dhe inteligjenca, që në çdo rast dhe situatë ato do të udhëhiqen nga arsyeja, nga logjika dhe do të kapërcejnë çdo vështirësi me kurajë dhe gjakftohtësi.

Në fund, unë dua t’u bëj thirrje të gjithë komunistëve shqiptarë, që kanë qenë gjithnjë në vijën e parë, që të jenë të pranishëm, në vijën e parë të frontit, në betejën për të realizuar programin për demokratizimin e jetën së vendit, nën udhëheqjen e partisë së tyre.

Intervista e Presidentit Alia, dhënë RTVSH-së, më 30 dhjetor 1991

Zoti President, do të doja t’i shfrytëzoja këto pak minuta që keni para takimit me Adem Demaçin. Mund të na bëni një vështrim retrospektiv të vitit 1991?

Viti 1991 ishte një vit i ngarkuar me ngjarje të shumta, me zhvillime intensive, ishte një vit që pati të pritura dhe të papritura. Sidoqoftë, viti 1991 do të shënohet si viti i fillimit të jetës pluraliste në vendin tonë. Gjatë këtij viti, në fakt, janë bërë ndryshime të mëdha, si në fushën politike, ashtu edhe në zhvillimin në fusha të tjera. Gjatë këtij viti u krijuan shumë parti dhe forca të reja politike. Zgjedhjet e 31 marsit nxorën Kuvendin e parë pluralist në vendin tonë. U miratuan shumë ligje, të cilat garantojnë të drejtat dhe liritë e individit, iu hap rrugë zhvillimit të mendimit, ndërgjegjes dhe lirisë së shtypit. Po kështu, pati zhvillime të rëndësishme në fushën e marrëdhënieve me botën e jashtme. Shqipëria u pranua në KSBE, u pranua në shumë organizma të ndryshme ndërkombëtare, që shënojnë hapa përpara të vendit tonë drejt integrimit me botën e jashtme, veçanërisht me Europën. Nga ana tjetër, gjatë këtij viti, filloi reforma ekonomike, doli ligji për tokën dhe filloi shpërndarja e tokës, ashtu siç u hodhën hapat e parë drejt privatizimit. Por, duhet thënë se është vështirë të thuash që rrugën e demokracisë e kaluam qetë. Përkundrazi, pati ngjarje mjaft tronditëse, siç qenë valët e emigrimit masiv të njerëzve, siç kanë qenë ngjarjet e Shkodrës, ngjarjet e Laçit, apo të Fushë-Arrësit.

Zoti President, më falni, por populli ndjen më shumë vështirësi ekonomike. Si mendoni se ka kaluar ky vit në planin ekonomik, ku janë ndjerë edhe vështirësitë më të shumta, sipas mendimit tim?

Po. Pa dyshim vështirësitë ekonomike kanë dalë në pah, më tepër se çdo herë tjetër. Arsyet për këtë vështirësi ekonomike janë të shumta. Nuk ka dyshim që ato kanë lidhje me të kaluarën, d.m.th., me atë që trashëguam nga sistemi monist, por, sipas mendimit tim, ato kanë lidhje edhe me këtë fazë të tranzicionit që po kalon vendi ynë. Duhet pasur parasysh se, shumë struktura të vjetra të mëparshme, u prishën, por struktura të reja, që duhet të zëvendësojnë këto të mëparshmet, nuk u krijuan. P.sh., ekonomia jonë, sot, nuk funksionon as si ekonomi e centralizuar, e planifikuar siç ishte më parë, por nuk funksionon as si ekonomi tregu e lirë. Ose tek ne është prishur sistemi i tregtisë shtetërore, ose nuk funksion mirë sistemi i tregtisë shtetërore, por nuk është krijuar ekonomia private që të zëvendësonte rolin e saj. Ose në fshat u nxitua në prishjen e kooperativave bujqësore, ndërkohë që as ligji për tokën nuk kishte dalë, bile as toka akoma nuk u ishte shpërndarë fshatarëve. Kjo situatë, ky boshllëk, nuk ka se si të mos krijonte vështirësitë. Prandaj, sipas mendimit tim, del nevoja që të shpejtohen reformat ekonomike, në mënyrë që ajo çka prishet, ajo duhet hedhur poshtë, të zëvendësohet menjëherë me strukturën e përshtatshme, në bazë të zhvillimeve aktuale.

Zoti President, si i parashikoni zhvillimet në fushën politike, ekonomike, për vitin 1992?

Mendoj se viti që vjen, do të jetë një vit ku do të sundojë tendenca pozitive politike, ashtu siç do të ketë përmirësime në fushën ekonomike. Gjatë vitit që vjen, forcat politike të vendit do të kenë rastin, bile së shpejti, tani në zgjedhjet që do të bëhen, të rivlerësohen drejtpërdrejt nga populli. Unë besoj se ato, partitë politike të vendit, do të kenë forcën morale për t’iu nënshtruar vullnetit të popullit dhe do të vënë të gjitha energjitë e tyre, me qëllim që t’i kthejnë njerëzit në punë. Kjo është, më duket, më urgjentja. Por, unë shpresoj, njëkohësisht, që viti 1992 do t’i sjellë popullit shqiptar stabilitet dhe qetësi, për të cilën ka shumë nevojë. Por, do të jetë një vit ku, tek ne, të sundojë fryma e mirëkuptimit dhe e tolerancës, fryma e bashkëpunimit në të mirën e atdheut tonë. Kjo do të jetë për vendin tonë, për popullin tonë, një fitore e madhe…

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›