Parku me erë, energjia vetëm për eksport
Në kontratë, shteti shqiptar do të përdorë pa pagesë 20 për qind të kapacitetit transmetues të linjës së interkonjeksionit
TIRANË-Ministria e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, zbardhi dje disa nga detajet e projektit të kompanisë “Moncada”, për ndërtimin e parkut të prodhimit të energjisë elektrike me anë të erës. Sipas kontratës, përveç të ardhurave fiskale, të cilat në total arrijnë në 237 milionë euro, shteti shqiptar ka të drejtën e përdorimit pa pagesë të 20 për qind të kapacitetit transmetues të linjës së interkonjeksionit 500 MW, e cila do të jetë pjesë përbërëse e projektit. Kjo linjë ka një drejtim kalimi të energjisë në dy drejtime dhe, krahas dërgimit të energjisë së prodhuar në Itali, do të përdoret edhe për import, në rast nevoje. Kështu, në këtë investim 1 miliard euro, Shqipëria ka të drejtë të përdorë për nevoja importi, pa pagesë, 100 nga 500 MW-ët e kapacitetit transmetues të kësaj linje. Projekti kryesor i parkut eolik është ndërtimi i 250 aerogjeneratorëve, me fuqi 2 MW secili dhe me një lartësi 70 deri në 80 metra. Si bërthama e këtij projekti, aerogjeneratorët do të shtrihen në zonat e Karaburunit, Rrëzës së Kanalit dhe të Lungares. Realizimi i tij në këtë zonë ka provokuar reagimin e shoqatave ambientaliste, të cilat gjatë protestës së tyre të para dy ditëve, deklaruan se ky i fundit bie ndesh me projektin tjetër, i cili ka objekt menaxhimin e bregdetit të Jugut. Po ashtu, ata shprehën shqetësimin për mungesat e kuadrit ligjor për aplikimin e kësaj teknologjie. “Në Shqipëri nuk ka një strategji apo kuadër ligjor, ku të përcaktohen qartë normat e ndërtimit të impianteve të prodhimit të energjisë nga era dhe ndikimeve të tyre potenciale në mjedis”, - thonë ata.
Vlera totale e investimit do të jetë 1 miliard euro, ku 750 milionë, do të shpenzohen për blerjen e aerogjeneratorëve dhe pjesa tjetër për ndërtimin e linjës së interkonjeksionit. Kompania “Moncada”, gëzon të drejtëne shfrytëzimit të këtij impianti për një periudhë 30-vjeçare, i cili më pas do të kalojë në pronësi të shtetit shqiptar. Ashtu si projekti i impiantit të rigazifikimit, edhe ky bën të mundur prodhimin e energjisë nga burime të ndryshme, shprehen në Ministrinë e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës.
Të dhëna
-250 aerogjeneratorë, 750 mijë euro secili
-2 MW Fuqia e instaluar e secilit aerogjenerator.
- 500 MW Kapaciteti i instaluar
-30 vjet kontratë shfrytëzimi
-80 % e kapacitetit transmetues të linjës ,"Moncada Energy Group"
-20 % i këtij kapacitetipërket OST-së
-200 milionë euro TVSH
-37 milionë euro detyrime fiskale