Han: Kudo ku kam shkelur, kam lënë gjurmë
Dëshiron të komentojë punën e mirë që ka bërë me klubet dhe po bën aktualisht me kombëtaren shqiptare. Trajneri kuqezi, Ari Han, në një intervistë për gazetën holandeze "Voetbal Primeur", duke lënë mënjanë modestinë, ndër të tjera është shprehur se arritjet e Shqipërisë kanë ndodhur menjëherë sapo ai ka ardhur në krye të kuqezinjve. Me një emër jo fort të mirë në Holandën e tij, Ari Han thotë se, kudo ku ka drejtuar, ka lënë shenjë si trajner.
"Kombëtarja shqiptare, pas një nisjeje shumë të mirë të ndeshjeve kualifikuese për Botërorin 2010, ka arritur të përmirësojë renditjen e FIFA-s, nga vendi i 103-të në të 83-in. Ari Han duket se ka ndikuar shumë në këtë arritje, sepse pa atë, vendi ballkanik nuk do të ishte kaq mirë,"- shkruan gazeta holandeze. Më pas, vetë trajneri kuqezi thotë: "Jo, nuk është aspak rastësi që Shqipëria ka arritur këto rezultate. Gjithçka ka ndodhur që kur unë kam ardhur në krye të kësaj kombëtareje. Për këtë, mjafton të shikoni të kaluarën time. Kur isha trajner i Anderlehtit jam shpallur kampion, ndërsa me Standartin e Liezhit kam fituar Kupën e Belgjikës, dhe gjithashtu jam përfaqësuar në Kupat e Europës. Përveç kësaj, kam qenë trajner në dy ekipe, të cilat kanë marrë pjesë në Kupat e Botës, por unë nuk mundesha të fitoja me skuadra të këtij niveli, si për shembull Kina."
Arritjet e Ari Hanit nuk duhet të shikohen thjesht te rezultatet me klubet, por për kohën që ai ka drejtuar, pasi ajo është shumë e rëndësishme për një trajner. Në vetvete, holandezi i kuqezinjve është i bindur që ia ka arritur qëllimit, kudo ku ka shkuar.
"Tek skuadrat që janë të një niveli të lartë, të cilat kanë fituar tituj, është e vërtetë që kam qëndruar shumë pak. Për shembull, tek Fejnordi, Anderlehti dhe Shtutgarti. Kjo është arsyeja pse jam larguar, por besoj se ia kam arritur qëllimit,"- pohon trajneri Han, që më 15 nëntor mbushi 60 vjeç.
"Pse në Holandë janë kundër meje?"
Ajo që të çudit është fakti që në Holandë, vendin e tij dhe ku ka bërë emër si futbollist, nuk është i njëjti vlerësim për Ari Hanin. Këtë trajneri kuqezi e ka thënë edhe vetë në deklarimet për shtypin sportiv. Por pse ndodh kjo? Trajneri e sqaron në mënyrën e tij: "Ndryshe nga në Holandë, mua në botë më vlerësojnë më shumë, kudo që të shkoj. Mund të them që në hotelet ku shkoj me skuadrën, restorantet etj., e dinë shumë mirë se kush jam. Madje, arrijnë deri aty, sa të më pyesin se pse kurrë më parë nuk kam marrë drejtimin e kombëtares holandeze. Ose në rastin më të paktë, pse unë nuk jam përfolur për të drejtuar skuadrën "portokalli". Për mua, kjo ndoshta nuk do të ndodhë kurrë, sepse njerëzit rreth kombëtares holandeze e kanë shumë të vështirë të më gjejnë,"- pohon me ironi trajneri i Shqipërisë. Megjithatë, ishfutbollisti i kombëtares holandeze dhe Ajaksit më të famshëm, nuk e ka pishman të kaluarën. "Unë e di fort mirë se si funksionojnë këto gjëra. Nuk ka të bëjë fare me atë që ke mundësi të arrish. Mendoj se kjo ka të bëjë vetëm me njohjet që ke. Dhe mund t'ju them se këto njohje në Holandë funksionojnë kundër meje. Më besoni për këtë që po them. Vetëm me njohje shumë të mëdha, mund të arrish që të jesh edhe trajner i Realit të Madridit apo i Barcelonës. Mirëpo, në vende të tjera nuk ndodh kështu. Në të vërtetë, edhe Johan Krujfi apo Frenk Raikardi, pa këto njohje, jam i bindur që nuk do të kishin mundur të bëheshin trajnerë të Barcelonës."