E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berluskoni Junior: Milani duhet përforcuar!

Zëvendëspresidenti i Mediasetit, i zhgënjyer nga eliminimi i kuqezinjve në Kupën e Italisë

"Jam pak i zhgënjyer për ndeshjen e kupës." Pier Silvio Berluskoni, zëvendëspresidenti i Mediasetit, ka pranuar se eliminimi i Milanit nga Kupa e Italisë i ardhur pas ndeshjes kundër Lacios, të mërkurën në mbrëmje, ka shtuar shqetësimin në ambientin kuqezi. Si të mos mjaftonte kjo, Interi është që tani 6 pikë përpara në kampionat. "Shpresojmë të kemi një mundësi për ta fituar kampionatin," - ka deklaruar Pier Silvio Berluskoni. Sipas Berluskonit të ri, "është një rrugë që të bën të kuptosh se cilët janë numrat 1 në çdo sektor; në futboll Mourinjo është një nga kandidatët, por edhe Ançeloti." Sipas tij, skuadra e Milanit ka nevojë për t'u përforcuar: "Që nga koha e marrëveshjes për marrjen e Ronaldinjos kam thënë se duhej forcuar më shumë mesfusha dhe mbrojtja". Më pas, ka ardhur edhe një koment i shkurtër, në lidhje me "Topin e Artë", që këtë vit është fituar nga Kristiano Ronaldo: "Një nga më të mëdhenjtë, pa diskutim, por do të më kishte pëlqyer ta fitonte sërish Kakà".

Bekhami - Devid Bekhami mendon që tani për muajin janar. Në fakt, me ardhjen e vitit të ri do të fillojë edhe aventura e tij te Milani, rast për të siguruar një vend në kombëtare. "Eshtë e rëndësishme që të luaj gjithmonë mirë dhe të mbahem në formë. Edhe kjo është një nga arsyet pse do të shkoj te Milani për disa muaj. Do të luaj për një tjetër nga klubet më të mëdha të botës, edhe pse veshja e fanellës të vendit tënd për një lojtar mbetet emocioni më i bukur." I pritur në mënyrë të madhërishme nga tifozët e Zelandës së Re të LA Galaksi, Bekham, me pak fjalë, ka treguar se do të rimarrë një vend në kombëtaren angleze, për të qenë protagonist në Botërorin e Afrikës së Jugut. "Natyrisht që do të më pëlqente të luaja për vendin tim, por, siç kam thënë gjithmonë, i marr ndeshjet me radhë."

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›