E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kinema me 2900 euro

“Intervista” është filmi me të cilin regjisori kosovar, Burim Haliti, konkurroi në ditën e katërt të TIFF

Në ditën e katërt të TIFF, u shfaq “Intervista”, film i shkurtër i regjisorit të ri nga Kosova, Burim Haliti. Ai na zhvendos në vitin 1995 në një katund të izoluar ku i vetmi mjet komunikimi është një telefon fiks në një arë me misër ku “shkjaut” nuk i bie ndër mend të survejojë. Radha e njerëzve është e gjatë, por të gjithë janë të detyruar të presin kryetarin e komunës sa të japë intervistë për “ndërkombëtarët”.

“Intervista” e sjell për herë të dytë në TIFF Burimin. Më 2007 filmi i tij “Hekurishtja” u vlerësua me çmim.

E përbashkëta e të dyja rasteve është buxheti minimal çka filmi i dytë e reflekton. Por 27-vjeçari thotë se kjo nuk ka për ta penguar që të vazhdojë të bëjë filma.

Përse “Intervista” është zhvendosur në vitin 1995?

Ngjarjet janë reale, njerëzit kanë biseduar në këtë mënyrë. Në Kosovë ka shumë fshatra të izoluar, jo vetëm shqiptare por edhe serbe. Në ndryshim nga ne, ata i kanë pasur të gjitha të drejtat, kanë pasur edhe telefon. Kjo situatë ka qënë edhe para vitit 1995 edhe më pas.

Filmi është njëkohësisht tragjedi, komedi dhe dramë. Për të treguar një histori unë i përziej zhanret. Kjo ngjarje tregon izolimin që ne e kemi përjetuar jo vetëm gjatë luftës së kosovë por edhe më herët. Njerëzit e zbulojnë vendin ku kalon linja e telefonit dhe mundohen të komunikojnë me botën nëpërmjet shtyllës së telefonit.

Ti nuk e kursen ironinë ndaj bashkëkombasve.

Nuk është ironi, është realitet. Unë jam bazuar në fakte reale. Ka gjëra që i kanë bërë serbët dhe nuk i kam vendosur në film, p.sh. kam hequr elementin e nacionalizmit. Unë nuk mendoj se ka ironi, njerëzit e moshuar si në Kosovë dhe në Shqipëri e dinë se si ka qenë gjendja në atë kohe dhe se si është komunikuar me botën.

Duket sikur intervista është e vetmja mënyrë për t’i treguar botës se çfarë po ndodhte në Kosovë.

Kjo është edhe një lloj metafore. Ideja e filmit nuk është një telefonatë, është një komunikim i përgjithshëm me vendet e botës. Në atë kohë bashkësia ndërkombëtare ka luajtur shumë me ne. Kryetari i komunës flet dhe flet, dhe në fund gazetari e pyet se ku gjendet Kosova. Askush nuk e dinte se çfarë po ndodhte në një vend të vogël të Evropës.

Skena e fundit e filmit tregon banorët që ikin me vrap se po afrohen serbët dhe receptorin e varur nga i cili dëgjohet zeri i gazetarit anglez.

Kjo tregon se sa pushtet kanë pasur serbët. Shqiptarët ikin se kanë frikë, ndërsa anglezi vazhdon të flasë sepse nuk ka frikë nga askush.

Çfarë të frymëzon për të shkruar një skenar?

Zakonisht bazohem në ngjarje të vërteta. Më saktë në një detaj dhe jo në një ngjarje në tërësi. Psh. Në filmin “Hekurishtja” ngjarja e vërtetë ka qenë rënia e bustit të Emin Durakut. Unë kam shfrytëzuar detajet për të ndërtuar skenarin. Në filmin “Intervista” jepet një ngjarje reale. Kam qenë i vogël në atë kohë, por skenarin e kam ndërtuar i bazuar mbi bisedat që kam bërë me njerëz të moshuar. Ata më kanë treguar më shumë për këto telefonata.

Si arritët të realizoni filmin me një buxhet kaq të vogël?

Filmi është realizuar me 2900euro. Në të dy filmat jam munduar të jap maksimumin ndonëse kam punuar me pak buxhet madje kam shpenzuar pak edhe nga shtëpia. Përveç kësaj, të gjithë kemi bërë nga dy punë. Unë personalisht kam bërë regjinë, skenarin edhe montazhin. Kjo sepse nuk kam pasur mundësi të punësoj njerëzit e duhur. Është ngarkesë e madhe për një film.

Si e sheh gjendjen e filmit shqiptar një regjisor i ri?

Unë mendoj se problemi i buxhetit ka për të qenë prezent për një kohë të gjatë si në Shqipëri ashtu edhe në Kosovë. Ka shumë njerëz të pastrehë dhe mendoj se lekët që jepen për realizimin e një filmi do t’i shërbenin më shumë atyre se sa mua. Me sa kam parë, edhe në Shqipëri situata është pothuajse e njëjtë. Është një varfëri e përgjithshme dhe s’mund ta konsiderojmë filmin si primar, më duket herët për ne gjë të tillë. Mendoj që gjeneratës time do t’i duhet kohë e gjatë deri sa ta konsiderojnë filmin si të tillë.

Çfarë nuk shkon tek kinemaja jonë?

Idetë dhe ngjarjet nuk mungojnë. Ajo që na pengon është teknika, ne xhirojmë vetëm me një kamerë dixhitale, që e nxjerr figurën si kronikat e lajmeve, ndërsa figura e filmave të huaj është shumë cilësore. Këtu shihet edhe dallimi. Fotografia e bën ngjarjen e tyre më të bukur, ndërsa ne duhet të tregojmë një ngjarje të bukur që të mbulojme difekte të fotografisë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›