Aliaj: Skuadra e Hanit, një enigmë e vërtetë

Jetmir Halilaj (PANORAMA-SPORT)
Adrian Aliaj, shqiptari i fundit që i ka shënuar gol Suedisë (në miqësoren e 18 shkurtit në vitin 2004), është dyshues për skuadrën që ka krijuar Ari Han, duke e cilësuar përfaqësuesen e drejtuar nga holandezi një enigmë të vërtetë përsa i përket potencialit të vërtetë që ka ekipi aktual si dhe mënyrës së lojës që kjo skuadër do të zhvillojë në të ardhmen. "Kanë luajtur pak ndeshje dhe ajo kundër Lihteshtejnit nuk mund të konsiderohet një test i vërtetë për ekipin, – ka thënë ish-mbrojtësi i Kombëtares për "Panorama Sport". – Mund të them se skuadra e Ari Hanit është një enigmë e vërtetë, pasi ende nuk e kemi parë potencialin e saj të vërtetë".
Sipas Aliajt, përfaqësueses kuqezi i mungon klasi dhe besimi në vetvete. "Nuk mund të krahasohet një miqësore me një ndeshje kualifikuese, por mund të them se kur fituam 2-1 kundër Suedisë para katër vitesh, skuadra po kalonte një periudhë të artë. Në ekip kishte një harmoni dhe një besim në vetvete që sot kjo skuadër nuk e ka. Përvec kësaj, unë mendoj se Shqipërisë aktualisht i mungon klasi. Ekipit i mungon një futbollist që mund të tërheqë skuadrën, apo të zgjidhë ndeshjen dhe ky është një problem. Unë shpresoj dhe dëshiroj shumë që ta nisim me një rezultat pozitiv edicionin, por jam paksa dyshues për gjendjen aktuale të ekipit. Shpresoja që Ari Han të kishte qëndruar më gjatë në Shqipëri dhe ta ndiqte më nga afër ekipin, sepse nuk më duket normale që trajneri i një skuadre Kombëtare shpenzon 30 për qind të kohës në vendin e punës dhe 70 për qind në vendin ku jeton", ka thënë Aliaj.
Ndërkohë, sot mbushen katër vjet nga goli që ai i shënoi Greqisë në fitoren 2-1 kundër ish-kampionëve të Evropës, fitore që mori përmasa të jashtëzakonshme dhe që u festua nga të gjithë shqiptarët kudo në botë. "E kujtoj shpesh atë gol dhe e di që do të mbahet mend gjatë jo vetëm nga mua, por nga të gjithë shqiptarët, sepse 4 shtatori tashmë është shndërruar në një datë të paharrueshme për sportdashësit shqiptarë", është shprehur ish-mbrojtësi i majtë i kuqezinjve.