Larson kundër Shqipërisë, dy gëzime në një ditë

Henrik Larson do të festojë kundër Shqipërisë dy ngjarje brenda 90 minutave: do të luajë ndeshjen e tij të 100-të ndërkombëtare dhe do të mbajë në krah shiritin e kapitenit.
Pas largimit nga Kombëtarja të Fredrik Ljunbergut pas finaleve të Euro 2008, ai la vakant edhe vendin e kapitenit. Edhe në opinionin suedez mendohej se mund të ishte kapiteni i ri qoftë Zlatan Ibrahimovici apo Tiobas Linderuth, trajneri Lars Lagerbak zgjodhi sulmuesin e Helsinborgut, Henrik Larson.
"Ai ka të gjitha karakteristikat që ne mendojmë për një kapiten. Për këtë arsye ne zgjodhëm Henrikun", - tha Lagerbak i cituar nga faqja zyrtare e Federatës Suedeze të Futbollit.
Suedia humbi në ndeshjen e fundit miqësore me Francën dhe Lagerbak ende nuk ka deklaruar se si do të luajë kundër Shqipërisë, por nga ato që kanë parë mediat suedeze trajneri ka aplikuar një skemë më dy sulmues të mirëfilltë: 3-5-2.
Suedia vazhdon përgatitjet në Rasunda, ku do të qëndrojë deri të enjten, përpara se të niset për në Shqipëri ditën e premte. Po të premten në mbrëmje (18:45), Suedia do të zhvillojë në "Qemal Stafa" edhe stërvitjen njohëse, 24 orë përpara takimit zyrtar të ditës së shtunë.