Beqaj nuk i trembet gjigantit Ibrahimoviç

Jetmir Halilaj (PANORAMA-SPORT)- Do të përballet katër herë me Ibrahimovicin gjatë këtij sezoni dhe shpreson që t'ia vështirësojë sa më shumë gjërat një prej sulmuesve më të mirë në Evropë, ndonëse është i ndërgjegjshëm se ky do të jetë një mision i vështirë. Beqaj do të ketë sulmuesin suedez në dy ndeshjet me Kombëtaren dhe gjithashtu, në ndeshjet me Anorthosin, e cila ndodhet në grupin B me Interin në Ligën e Kampioneve. Në një intervistë të dhënë për "Panorama Sport", portieri i përfaqësueses flet për momentin magjik që është duke kaluar te skuadra e tij Anorthosis Famagusta dhe për konkurrencën e fortë në përfaqësuese.
Jeni shndërruar në hero te skuadra juaj pas kualifikimit në Ligën e Kampioneve ku eliminuat grekët e Olimpiakosit, duke bërë pritje të jashtëzakonshme në të dyja ndeshjet. Cili është sekreti i formës së shkëlqyer që po kaloni?
Është e vërtetë, po kaloj një moment shumë të mirë, jo vetëm unë, por e gjithë skuadra. Mund të them se gjithcka është fryt i një impenjimi maksimal gjatë periudhës përgatitore si dhe kënaqësia që na kanë dhënë sukseset e dy viteve të fundit. Ndihem në një formë të shkëlqyer dhe shpresoj që të vazhdoj me këto ritme edhe me përfaqësuesen.
Do të ndesheni katër herë me Ibrahimovicin gjatë kësaj periudhe...
Eh, ai është një sulmues i madh dhe padyshim që është problematik. Megjithatë, futbolli luhet në grup. Unë shpresoj që t'ia vështirësoj sa më shumë gjërat, por për të ndalur atë dhe skuadrat ku ai luan, duhet që edhe ekipet e mia të luajnë mirë dhe të mobilizohen maksimalisht. Gjithsesi, ndeshjet në Ligën e Kampioneve me Anorthosin do të jenë edhe një eksperiencë e mirë për mua dhe shpresoj që të shkojmë sa më larg në këtë kompeticion.
Nëse do të duhej të zgjidhje mes Kombëtares dhe klubit, do të doje ta mundje Ibrahimovicin në ndeshjet më përfaqësuesen, apo me Anorthosin?
Nëse do të ishte në dorën time, do të doja ta mundja në të katërta ndeshjet. Të jeni të bindur se do të bëj cmos që të mos e lejoj të shënojë, më pas nuk i dihet. Unë shpresoj që jo vetëm ai, por edhe shokët e tij të mos shënojnë asnjë gol, por verdiktin do ta japë fusha e lojës.
Sa shanse ka Shqipëria me Suedinë?
Duhet të qëndrojmë me ‘këmbë në tokë' dhe t'i vlerësojmë për atë që janë. Suedezët kanë një skuadër të mirë dhe me eksperiencë e ndoshta për këtë unë i quaj edhe favoritë. Megjithatë, në futbollin modern shpeshherë ka surpriza dhe ne do të bëjmë maksimumin për të marrë një rezultat pozitiv.
Shumë konkurrencë për vendin e titullarit. Hidi dhe Lika janë gjithashtu në formë të mirë, u druheni atyre?
Konkurrenca i bën mirë skuadrës, sepse rrit nivelin dhe cilësinë e lojës. Është e vërtetë që ka shumë konkurrencë, por kjo është pozitive. Përsa i përket vendit të titullarit, është trajneri ai që e vendos dhe duhet të respektojmë vendimet e tij.