Han: “Hidink e Advokat, dy trajnerë të zotë”

Holanda ka të shpërndarë në botë një ekip të plotë trajnerësh. Ari Han është një prej 11 teknikëve "portokalli" që drejtojnë skuadra kombëtare në gjithë botën nga Shqipëria e deri te Antilet Holandeze, madje një të tillë, Ervin Koemanin, Han do ta ketë si kundërshtar pasi ish-lojtari i madh holandez drejton Hungarinë.
Në Holandë sipas një shkrimi të botuar në revistën e FIFA-s (muaji shtator 2008) janë 400 trajnerë profesionistë. Madje Holanda me vetëm 16 milionë banorë, ka më shumë trajnerë se Gjermania me 80 milionë banorë.
Në Kampionatin Botëror 2006, Holanda përfaqësohej me katër trajnerë: Marko van Bastenin me Holandën, Leo Benhaker me Trinidad-Tabagon, Gus Hidink me Australinë dhe Dik Advokat me Republikën e Koresë.
Në Euro 2008 shkolla portokalli përfaqësohej me tre: Marko van Bastenin me Holandën, Leo Benhaker me Poloninë, Gus Hidink me Rusinë.
"Kjo do të thotë se shkolla holandeze e trajnerëve nuk është e keqe. E ndjekin shumë trajnerë. ", - thotë tekniku i katërt i huaj e Shqipërisë në epokën "Duka", pas italianit Dosena, gjermanit Brigek e kroatit Baric. Para pak ditësh trajneri holandez i Zenit Petërsburgut, Dik Advokat, fitoi Superkupën e Europës në finalen kundër Mancester Junaitid. "Është një trajner shumë i mirë, ashtu sic është edhe (Gus) Hidink me Kombëtaren e Rusisë".
Marko van Basten, i shumë kritikuar prej Hanit humbi ndeshjen e parë si trajner i Ajaksit në kampionatin holandez (2-1 kundër Vilhem II). "S'ka gjë, - thotë ironikisht Han, - do të fitojë ndeshjen tjetër, e te Ajaksi do të jenë të kënaqur me të".
11 trajnerët holandezë në botë
1.Shqipëria: Ari Han
2.Holanda: Bert van Marvijk
3.Hungaria: Ervin Koeman
4.Kazakistan: Arno Pijpers
5.Mozambik: Artur Semedo
6.Antilet Holandeze: Leen Looyen
7.Poloni: Leo Benhaker
8.Ruanda: Rene Feller
9.Rusia: Gus Hidink
10.Sejshelle: Jan Mak
11.Australia: Pim Verbeek