Aliaj, “lamtumirë” Oberhauzen
23/05/2005 Mbrojtësi i Oberhauzenit, Adrian Aliaj i ka dhënë dje përfundimisht “lamtumirën” skuadrës së tij, duke i hapur në këtë mënyrë rrugën një transferimi të mundshëm në ndonjë kampionat të tjetër. Pasi kishte deklaruar, dy-tre ditë më parë, se do të largohej nga Oberhauzeni në fund të sezonit, dje mbrojtësi i përfaqësueses kuqezi i ka dhënë fund aventurës së tij me skuadrën e kuqe dhe ka zgjidhur kontratën që e mbante të lidhur me klubin gjerman. Konfliktet e herëpashershme me trajnerin Hah, pas vendimit të tij për t’u aktivizuar në ndeshjen e Kombëtares sonë me Ukrainën, edhe pse jo në 100% të formës së tij, si dhe rënia e skuadrës në Ligën Rajonale (kategoria e tretë) kanë qenë dy arsye të forta që e kanë detyruar mbrojtësin tonë t’i thotë “lamtumirë” aventurës së tij me skuadrën e Oberhauzenit. Ndërkohë edhe në ndeshjen e fundit të Bundesligës 2 përballë Aues së Skerdilajd Currit, Adrian Aliaj nuk është preferuar të aktivizohet nga trajneri i skuadrës së tij.
.
.