E Shtunë, 31 Tetor 2026

Alibali: Bisedimet në respekt të vendimeve të forumeve

07/09/2009  Përplasjet në PR për negociatat me PD-në

Drejtuesit e lartë të Partisë Republikane nxitojnë të sqarojnë debatet e lindura brenda radhëve të kësaj forcë politike. Kështu, janë pikërisht negociatat për postet në kabinetin qeveritar mes republikanëve dhe Partisë Demokratike, e sidomos vendimmarrjet mbi një çështje të tillë, ato që kanë krijuar përplasje në këtë kamp. Nga njëra anë ishte presidenti i Asamblesë Kombëtare të PR-së, Sabri Godo, që ka bërë me dije se negociatat janë bërë në fshehtësi dhe vendimi i kryesisë ka ardhur i imponuar. Për më tepër, jo vetëm që nuk ka pasur njoftim për thirrjen e një forumi të tillë, por ka munguar dhe thirrja për pjesëmarrje në këtë mbledhje. Ndërsa nënkryetari i i kësaj partie, Neritan Alibali, përballë këtyre pretendimeve nxitoi ta justifikonte përplasjen se ishte thjesht keqkuptim. Njëkohësisht Alibali deklaroi se Godo është njoftuar për mbledhjen e kryesisë, por nuk ka marrë pjesë. Nënkryetari i Partisë Republikane, Neritan Alibali, publikoi dje dokumentin zyrtar përmes të cilit kryesia e kësaj partie vendosi pjesëmarrjen në qeverinë e re të kryesuar nga PD-ja me ministër Fatmir Mediun. Por një deklaratë e tillë nuk ishte e firmosur nga presidenti të Asamblesë Kombëtare të PR-së Sabri Godo. Ardhur te negociatat mes dy krerëve të djathtë, mes Mediut e Berishës, nënkryetari i republikaneve sqaroi se ato janë kryer nën mandatin e propozuar dhe të marrë nga vetë presidenti i Asamblesë Kombëtare të republikanëve, Sabri Godo. “Kjo kryesi është vendimmarrëse dhe merr vendime në periudhën mes dy asambleve dhe ka një komitet drejtues, ku bëjnë pjesë edhe anëtarë të tjerë, si nënkryetarët e Asamblesë Kombëtare, kryetarët e degëve më të rëndësishme të Shqipërisë etj. Kemi të bëjmë me këshillim dhe jo vendimmarrje. Është keqkuptuar logjika e kryesisë së madhe dhe kryesisë së vogël”, - nënvizoi Alibali.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›