E Shtunë, 31 Tetor 2026

Solis: Do të jemi në sallë, bojkoti krizë personale e Ramës

07/09/2009  PBDNJ-ja përballë Kuvendit

Partia Bashkimi për të Drejtat e Njeriut do të jetë sot pjesë e seancës së parë parlamentare për legjislaturën e dalë nga zgjedhjet parlamentare të 28 qershorit. Një fakt i tillë është bërë me dije nga vetë sekretari i përgjithshëm i kësaj partie Leonard Solis. Në këtë mënyrë vendim i marrë nga kupola rozë për të bojkotuar një institucion i tillë duket se nuk ka gjetur mbështetjen e njërit prej aleatëve të tij, pjesë e koalicionit parazgjedhor “Bashkë për Ndryshim”. Në këtë mënyrë PBDNJ-ja e drejtuar nga Vangjel Dule, ndryshe nga PDS-ja dhe PSD-ja, që mbështetën një ide të tillë, ka zgjedhur që të mos e pranojë këtë opsion, por të jetë pjesë e Kuvendit. Ndërkohë sipas drejtueseve të kësaj partie kreu në detyrë i PS-së po ndërmerr veprime të cilat mund të jenë me pasojë për vendin. Sekretari i përgjithshëm i PBDNJ-së, Solis, i ndalur në një çështje të tillë theksoi se “kriza e Ramës është kthyer në krizë partiake dhe këtë krizë do ta bëjë edhe krizë institucionale me pasoja për vendin”. Sipas tij, një vendim i tillë është krejtësisht i gabuar dhe kjo tregon se Rama është në krizë personale. Solis bëri me dije se “PBDNJ-ja do të jetë në Kuvend nesër gjatë hapjes së punimeve të tij për këtë legjislaturë”. Në lidhje me ftesën e Kryeministrit Berisha për koalicion në qeverisje Solis vuri në dukje se “kjo çështje është në diskutim e sipër”. Por sa i takon Kongresit të ardhshëm të PBDNJ-së përfaqësuesi i kësaj partie sqaroi se ky forum do të mblidhet në fund të muajit shtator, pas formimit të qeverisë. PBDNJ-ja hyri në zgjedhjet e 28 qershorit në koalicion me PS-së dhe mundi të marrë një mandat deputeti, të përfaqësuar nga kryetari i saj Vangjel Dule.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›