E Diel, 1 Nëntor 2026

“Rama i shqetësuar vetëm për interesat personale”

07/09/2009  Reagon selia blu

Partia Demokratike përmes zëdhënëses së saj ka reaguar sërish për vendimin më të fundit të Partisë Socialiste për të bojkotuar seancën parlamentare. “PD-ja, duke dënuar edhe një herë këtë akt, informon qytetarët shqiptarë se Edi Rama nuk është i preokupuar për socialistët e thjeshtë, që i kanë mandatuar deputetët e tyre për të mbrojtur interesat e elektoratit socialist në Parlament. Kjo për arsyen se ai menaxhon grupin parlamentar më të pasur në Evropë. Nga 60 e ca deputetë, 21 prej tyre janë miliarderë, të cilët janë të shqetësuar vetëm për interesat e tyre”, - theksoi Mëhilli gjatë një konference për shtyp. Si rrjedhojë, për PD-në interesi i qytetarëve është interesi i fundit që ka në mendje Edi Rama dhe grupi i tij parlamentar milioner. Zëdhënësja e PD-së vijoi se kjo forcë politike, duke denoncuar këtë politik të bojkotit të zotit Rama, garanton votuesit socialistë se nuk janë interesat e tyre ato që shqetësojnë Ramën, por interesat miliardere të grupit të tij, të njëjtat interesa me të cilat ai udhëheq dhe drejton jo vetëm grupin parlamentar, por edhe PS-në. Nga selia blu ka reaguar kundrejt Ramës si kryetar i Bashkisë së Tiranës deputeti Edi Paloka. Ashtu si zëdhënësja, edhe Paloka theksoi në deklaratën e tij se kryetari në detyrë i PS-së të gjitha interesat e tij politike e jopolitike vazhdon t’i këtë të lidhura vetëm me lejet e ndërtimit dhe përfitimet abuzive nga këto leje. “Jam këtu për të denoncuar një nga skandalet e paturpshme të Edvin Ramës, i cili ditën përgatit dhe shpërndan letra për gjoja pushte që do të lejonin PS-në të hynte në Parlament, ndërsa natën mesazherët i dërgon që të interesohen për lejet e ndërtimit në KRTRRSH”, - tha Paloka.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›