E Diel, 1 Nëntor 2026

Alibeaj: 8.868 çështje janë në proces ekzekutimi

Ministria e Drejtësisë ka sqaruar dje pozicionin e saj në lidhje me ekzekutimin e vendimeve të gjykatave pas kritikave të Presidentit Bamir Topi, se vetëm dy të pestat e këtyre vendimeve janë realizuar. Presidenti e cilësoi skandaloze situatën, duke përmendur shifrën e 8.868 vendimeve të paekzekutuara, ndërkohë që Ministria e Drejtësisë duke iu referuar kësaj shifre shprehet se “shifra prej 8.868 nuk tregon numër çështjesh të zvarritura apo të mbetura pa ekzekutuar sipas ligjit. Kjo shifër, referuar statistikave zyrtare, tregon numrin e çështjeve në ekzekutim e sipër nga shërbimi përmbarimor, pra në proces sipas procedurave të fiksuara në Kodin e Procedurës Civile, i cili parashikon veprime konkrete për t’u kryer nga përmbaruesi dhe afate konkrete për t’u përmbushur këto veprime”. Më tej në njoftimin e saj zyrtar të shpërndarë dje pasdite për median, kjo ministri jep të dhëna për punën e bërë në këtë drejtim, duke hedhur dhe një shifër tjetër që ka të bëjë me rreth 10 mijë vendime të ekzekutuara vetëm këtë vit. “Statistikat zyrtare që disponon Ministria e Drejtësisë tregojnë se në periudhën janar-shtator 2008 në rrethin e çështjeve që janë pjesë e punës së shërbimit përmbarimor janë ekzekutuar 3.675 çështje dhe iu është dhënë zgjidhje ligjore 5.994 çështjeve”, - thuhet në njoftim. Ndërkohë nuk mund të anashkalohet dhe problemi që ka sot Zyra e Përmbarimit, e cila funksionon me pak veta dhe për këtë çështje ministria pranon se po tenton të rregullojë anën ligjore. “Ministria e Drejtësisë ka punuar edhe për draftimin e dy projektligjeve për liberalizimin e shërbimit përmbarimor, i cili synon përshpejtimin e procedurave, rritjen e numrit të çështjeve të ekzekutuara dhe rritjen e cilësisë së shërbimit. Këto dy projektligje janë miratuar nga Këshilli i Ministrave dhe janë në Kuvend”, - thuhet në njoftimin e djeshëm. Ndërkohë me nota miqësore deklarata e ministrisë nis me angazhimin e këtij institucioni për mbarëvajtjen e reformës në drejtësi, duke u shprehur se “Ministria e Drejtësisë bashkohet me shqetësimin për mbarëvajtjen e Reformës në Drejtësi dhe që ka ende shumë për të bërë, me qëllim realizimin e dhënies së drejtësisë efektive nëpërmjet një procesi të rregullt ligjor”. Ndërkohë kjo ministri merr përsipër të sqarojë mënyrën e punës së Drejtorisë së Përgjithshme të Përmbarimit dhe vendimet që ajo ka detyrim të ekzekutojë. “Sipas sistemit ligjor në fuqi, ekzekutimi i detyrueshëm i vendimeve gjyqësore bëhet mbi bazën e urdhrave të ekzekutimit të dhëna në momentin që Gjykata e Apelit, si gjykatë e fundme fakti, jep zgjidhje mbi çështjen”. Ndërsa në lidhje me vendimet e Gjykatës së Lartë bëhet e ditur se kjo gjykatë “vendos mbi ligjin dhe jo mbi faktin në një çështje gjyqësore dhe vendimet e dhëna prej saj kanë karakter detyrues për gjykatat më të ulëta”. “Gjykata e Lartë, me ligj mund të disponojë pezullimin e ekzekutimit të detyrueshëm prej përmbaruesve dhe nuk ka asnjë rast që përmbaruesit gjyqësorë të mos kenë ekzekutuar një vendim pezullimi të Gjykatës së Lartë”, - sqaron ministria e drejtuar nga Enkelejd Alibeaj.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›