Opozita kundër buxhetit, Malaj: Keni dështuar me shifrat
Opozita në bllok ka qenë kundër projektbuxhetit të vitit 2009. Deputeti i PS-së, Arben Malaj, tha dje në Kuvend se qeveria po mashtron me shifrat e realizimeve. Sipas tij, shifrat e qeverisë janë nominale, por asnjëherë të përkthyera në shpenzime dhe realizime konkrete. “Me këtë buxhet po shikojmë se ju keni ngel në vend. Nuk mund t’i gënjesh shqiptarët me shifra bruto, kur shqiptarëve nuk iu dalin ato lekë as për të blerë gjërat minimale të jetesës”, – tha Malaj. Ai tha më tej se qeveria ka dështuar me thithjen e fondeve nga donatorët, që sipas tij, kanë qenë vetëm 7 për qind. “Keni dështuar në thithjen e fondeve nga donatorët, të cilat janë më të ulëtat që kanë qenë”, - shtoi Malaj. Njëkohësisht Malaj bëri thirrje për pranimin e propozimeve të PS-së për këtë projektbuxhet. Malaj tha se qeveria nuk ka parashikuar fonde të qarta për mbrojtjen e shtresave në nevojë, në kushtet e një krize globale që po thellohet. “Edhe Presidenti i SHBA-së, Obama, pranoi se në vendin e tij ka 12 për qind të varfër, por për Kryeministrin tonë kjo shifër është zero”, - tha Malaj. Në Parlament mori fjalën edhe ish-Kryeministri dhe kryetari i LSI-së, Ilir Meta, i cili u shpreh se qeveria nuk ka realizuar premtimet. Meta vuri theksin tek kriza ekonomike, e cila, sipas tij, po troket së afërmi. Kreu i LSI-së tha më tej se qeveria nuk ka realizuar premtimet në infrastrukturë. “Ku janë 4 mijë kilometrat rrugë që premtuat”, - tha Meta, i cili tha më tej se pagat në vitin 2009, nuk do të dyfishohen siç ka premtuar qeveria.