Alibeaj: Dorëheqja, pa efekt ligjor, refuzoi bashkëpunimin me Kuvendin

Kreshnik Spahiu jep dorëheqjen pasi ka konsumuar veprën penale - komisioni hetimor, gati të ngrejë padinë
Dy javë pas ngritjes së komisionit hetimor parlamentar për fillimin e procedurave për shkarkimin e tij, Kreshnik Spahiu jep dorëheqjen nga posti i zv/kryetarit të KLD-së. Kuvendi e kishte thërritur dje z. Spahiu të raportonte para komisionit hetimor, lidhur me veprimtaritë e tij politike në institucionin e Këshillit të Lartë të Drejtësisë, por ai refuzoi përsëri bashkëpunimin me Parlamentin, ndërsa përmes një konference për shtyp komunikoi se ka dhënë dorëheqjen nga posti që mbante. Komisioni hetimor e akuzon Kreshnik Spahiun se ka shkelur ligjin dhe Kushtetutën në përdorimin e KLD-së si instrument politik për krijimin e forcës së re politike. Prej më shumë se një viti, Kreshnik Spahiu nuk ushtronte më detyrën Kushtetuese në KLD, pasi kishte nisur aktivitetin politik me Aleancën Kuqezi. Edhe pse krijohet një papajtueshmëri e theksuar ligjore dhe Kushtetuese, nisja e veprimtarisë politike për Kreshnik Spahiun ishte një proces krejt normal, duke dhunuar kështu me të dyja këmbët Kushtetutën që është garante e zhveshjes së institucionit të KLD-së nga impakti politik. Dhe jo më kot, KLD ka dëshmuar paaftësi institucionale dhe është akuzuar nga organizmat ndërkombëtarë për mungesë transparence në emërimet dhe transferimet e gjyqtarëve. Krahas dorëheqjes, Spahiu i është drejtuar Gjykatës Kushtetuese me një kërkesë, për të zgjidhur, sipas tij, mosmarrëveshjet mes pushtetit legjislativ dhe atij gjyqësor. Ndërkohë, kryetari i komisionit hetimor parlamentar për nisjen e procedurave të shkarkimit të nënkryetarit të Këshillit të Lartë të Drejtësisë, Enkelejd Alibeaj u shpreh se do të kallëzojë penalisht, Kreshnik Spahiun. Sipas tij, ai ka shkelur nenin 17 të komisionit hetimor, duke mos iu përgjigjur kërkesave të Kuvendit. “Spahiu nuk solli provat shkencore, çka e detyron këtë komision të ngrejë një kallëzim penal. Kreshnik Spahiu ka shpërdoruar detyrën si dhe s’ka respektuar kuvendin”- tha Alibeaj. Ai vuri në dukje se pranë komisionit kanë mbërritur edhe informacionet e kërkuara nga ministria e financave dhe shkolla e Magjistraturës të cilët do të shqyrtohen.
Duke komentuar aktin e dorëheqjes së z.Spahiu, Alibeaj e cilësoi si një akt juridik i cili nuk do ndikojë në vijimin e punës së komisionit. “Kjo s’ka asnjë efekt juridik në punën e komisionit. Nuk kam asnjë koment në aspektin juridik. Komisioni hetimor vazhdon punën dhe të hënën i dorëzohet Kuvendit raporti përfundimtar”- u shpreh ai. Kreshnik Spahiu refuzoi dy herë bashkëpunimin me Kuvendin. S’dorëzoi asnjë provë si dhe nuk u paraqit në seancën dëgjimore. Për komisionin hetimor, kjo përbën shkelje dhe mund ta çojë z.Spahiu në ndjekje penale. Ndërkaq, të hënën më 13 shkurt, do të bëhet edhe miratimi i raportit final që do t’i kalojë seancës parlamentare për votim duke i dhënë dritën jeshile shkarkimit.