E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dorëheqja e Spahiut, këshillë për Topin

11-02-2012 / Gazeta 55

Presidenti ende në detyrë ka rreth një vit që s’pranon të komentojë keqpërdorimin e KLD-së prej Kreshnik Spahiut. Sot, kur ai dha dorëheqjen, për të penguar zbardhjen e shpërdorimit të institucionit dhe të shpërdorimeve financiare, Bamir Topi sërish bëri thirrje për heshtje. Dorëheqja e Spahiut është një veprim i vonuar, megjithatë ajo shërben si këshillë për kryetarin e KLD-së, i cili s’është vonë për të marrë përgjegjësitë për shkatërrimin e institucionit që keqdrejtoi prej 5 vjetësh

Në ditën e “Debatikut’, dje në 10 shkurt, debatikasi Kreshnik Spahiu bëri daljen e fundit institucionale. Doli dhe i parapriu shkarkimit të tij si nënkryetar i KLD-së, me një me nder të themi veprim prej debatikasi, të cilën ai e quajti “dorëheqje”.
Sikurse pritej, përveç “risisë” së dorëheqjes, pjesa tjetër e atyre pak fjalive të artikuluara prej Kreshnik Spahiut, ishin gjëra që në mënyrë abuzive ai i kishte thënë edhe më përpara, pra nuk përbënin ndonjë gjë “të re”.
Për aq sa dalja e djeshme e Kreshnik Spahiut ishte “e mbarsur” me më shumë gjëra “të vjetra” se sa “risia” e dorëheqjes, ndoshta nuk do ia vlente të merreshe shumë me “debatikasin e fundit”...
Por si për dreq, nuk të lë Presidenti, i cili njëherazi është edhe kryetari i KLD-së.
E pra, foli dje edhe Bamir Topi për aktin e debatikasit Kreshnik Spahiu..., por s’tha asgjë.
Në fakt, duke folur si përherë “me heshtjen” e tij, Presidenti Bamir Topi, kryetar i KLD-së, tha edhe një gjë “të tmerrshme”, sipas të cilës, dorëheqja e Kreshnik Spahiut, “është akt individual”, pse jo edhe “i respektueshëm”.
Akti i dorëheqjes së Kreshnik Sahiut mund të jetë ç’të dojë, por vetëm jo “individual”.
Sepse, nuk kemi të bëjmë me një konflikt të mundshëm “personal” apo “individual”, sikurse bie fjala, midis nënkryetari të KLD-së Kreshnik Spahiu dhe kryetarit të KLD-së Bamir Topi, se kush do të paguajë një drekë mes tyre, bie fjala në ndonjë drekë familjare ose jo, në ndonjë lokal në bregdet. Por, kemi të bëjmë me një hetim për abuzime me detyrën, por edhe financiare, për kohën kur Kreshnik Spahiu “në orar të punës”, organizonte tubime në “trojet shqiptare”, deri duke vjedhur edhe në Manhattan paradën e përvitshme “Dita e Kolombit” të italiano-amerikanëve. E pra, hetimi në fjalë përfshin edhe pagesën e këtyre faturave, që sigurisht janë shumë të kripura dhe jo aq modeste, sa të paguash një drekë një lokal në bregdet. Dhe për deri sa këto hetime, nuk janë personale për Kreshnik Spahiun, por parlamentare për nënkryetarin e KLD-së, që sipas edhe Presidentit Bamir Topi, ka një rol të rëndësishëm, për aq kohë sa, “Këshilli i Lartë i Drejtësisë vërtet ka në krye Presidentin si Kryetar i KLD-së, por të gjithë aktivitetin administrativ, me ligj, me Kushtetutë, e mbulon Zëvendëskryetari i Këshillit të Lartë të Drejtësisë”.
E pra, kjo është pjesa “jo personale” apo “jo individuale”, e mjaftueshme që dorëheqja e Kreshnik Spahiut si nënkryetar i KLD-së, të mos konsiderohet “akt individual”, pse jo as edhe “i respektueshëm”...
Për dreq akoma, këtë konsideratë për “debatikasin e fundit” Kreshnik Sphaiu, Bamir Topi e artikuloi dje...,  pas rreth një vit që ai s’pranon të komentojë keqpërdorimin e KLD-së prej vartësit të tij.
Dhe dje, kur Kreshnik Spahiu zgjodhi dorëheqjen, duke “gënjyer veten” se do t’i shpëtojë hetimit parlamentar për abuzimet me detyrën dhe ato financiare, bashkë edhe me tentativën për të penguar zbardhjen e shpërdorimit të institucionit dhe shpërdorimeve financiare, Bamir Topi sërish bëri thirrje për heshtje... Ose më saktë bëri thirrje për “durim” ndaj “dërgesës” së Krehsnik Spahiut të çështjes së tij në Gjykatën Kushtetuese, ndërkohë që prej javësh, një komision hetimor parlamentar pret “dërgesat” e Kreshnik Spahiut, për faturat e tij financiare në “trojet shqiptare”, deri edhe në Manhattan, por që me sa duket ende Presidenti Bamir Topi, njëherazi kryetar KLD-ja, nuk e di se ekziston..., për aq kohë sa askush nuk mban mend të ketë dëgjuar të artikuluar prej tij (Bamir Topit), ndonjë frazë tjetër të mundshme për “durim”, nga zbardhja e komisionit hetimor parlamentar.
Në fakt, është pak, për të thënë aspak e besueshme që Presidenti Bamir Topi, njëherazi kryetari i KLD-së, nuk dinte, të paktën deri dje, asgjë për “të gjithë aktivitetin administrative”, të vartësit të tij…, aq sa pret Gjykatën Kushtetuese. Sa e pabesueshme është kjo, aq e besueshme është edhe tjetra..., që dorëheqja e Kreshnik Spahiut është një veprim i vonuar. Megjithatë ajo shërben si këshillë për kryetarin e KLD-së, i cili s’është vonë për të marrë përgjegjësitë për shkatërrimin e institucionit që ai drejton...

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›