Kompania shtetërore e naftës azere SOCAR ftohet të marrë pjesë në privatizimin e Albpetrol-it

Kryeministri takon në Azerbajxhan drejtues të kompanisë azere të prodhimit të naftës. Gjatë një darke nderi të organizuar nga komuniteti i biznesit vendas, kryeministri thekson se janë të gjitha mundësitë që Shqipëria të shndërrohet në një superfuqi energjetike në Evropën Juglindore
Në vijim të vizitës zyrtare në Azerbajxhan, kryeministri Sali Berisha pati një takim
me drejtues të kompanisë shtetërore azere të prodhimit të naftës SOCAR, të cilët shprehën interesin për të qenë prezentë në vendin dhe rajonin tone, nisur nga eksperienca prej shume dekadash ne sektorin e gazit dhe te naftës të kësaj kompanie. Gjatë këtij takimi, kryeministri Berisha bëri një ekspoze të reformave që kanë bërë të mundur një mjedis liberal ekonomik të favorshëm për investitorët. Ai ftoi kompaninë të investojë për shndërrimin e Shqipërisë në një qendër të depozitimit të gazit azer në sinergji me projektin e Trans Adriatik Pipeline, apo për të marrë pjesë në privatizimin e kompanisë shqiptare Albpetrol, si dhe për të investuar në fushën e energjisë së rinovueshme. Në mënyrë të veçantë, kompania u ftua për te kontribuar në hartimin e një masterplani për gazifikimin e të gjithë territorit të Republikës, sikurse edhe në ndërtimin e rrjetit shpërndarës të gazit ne vend e në rajon. Ne vijim, drejtori i përgjithshëm i Kompanisë SOCAR u angazhua për dërgimin e një ekipi eksplorues të të gjitha potencialeve qe Shqipëria ofron, brenda periudhës më të shkurtër të mundshme.