E Diel, 1 Nëntor 2026

Rama konfirmohet si apatrid, në kohë emergjence natyrore zgjedh të sulmojë Policinë

11-02-2012 / Gazeta 55

Partia Socialiste shpalli alternativën e vet për sigurinë, duke treguar se imazhi i saj është ai i Gramoz Ruçit e Ilir Xhelil Gjonit, pra imazhi i Policisë së Sigurimit. Reagon Ministria e Brendshme: “Policia e Shtetit i ktheu dinjitetin vendit, pas gjendjes që e la partia e Ramës”

Ministria e Brendshme reagoi dje në lidhje me deklaratën e kryetarit të PS-së, Edi Rama për situatën e kriminalitetit në Shqipëri. Në një deklaratë për mediat, zëdhënësi i Ministrisë, Fatmir Konja, deklaroi se Shqipëria është një nga vendet më të sigurta në Bashkimin Evropian. Sipas tij, Rama duhet t’i jetë mirënjohës Policisë së Shtetit për rikthimin e dinjitetit të vendit, pas gjendjes që e la partia e tij. “Shqipëria sot është një nga vendet më të sigurta të Bashkimit Europian pikërisht falë mirë-organizimit, punës, përkushtimit, aftësisë dhe profesionalizmit të Policisë së Shtetit. Niveli i krimit të vrasjes në Shqipëri është nën mesataren e vendeve anëtare të Bashkimit Europian ndërsa zbulueshmëria e këtij krimi në nivelet më të larta. Policia e Shtetit vlerësohet sot si një partner i denjë dhe serioz i organizmave më të rëndësishëm policorë europianë dhe ndërkombëtarë falë arritjeve domethënëse dhe luftës pa kompromis kundër të gjitha veprimtarive kriminale. Z. Rama dhe Partia Socialiste duhet t’i jenë mirënjohës Policisë së Shtetit dhe Ministrisë së Brendshme që i rikthyen dinjitetin dhe forcën e ligjit shtetit shqiptar pas asaj trashëgimie rrënqethëse që qeverisja e partisë së Z. Rama i la imazhit të Shqipërisë dhe shqiptarëve. Z. Rama duhet t’i jetë mirënjohës Policisë së Shtetit që e shndërroi Shqipërinë nga vendi ku qeniet njerëzore hidheshin të gjallë e mbyteshin në mes të detit nga trafikantët, miq të njerëzve me pushtet, në vendin që vizitohet nga 4 milionë turistë në vit. Z. Rama duhet t’i jetë mirënjohës Policisë së Shtetit që e shndërroi Shqipërinë nga vendi ku kufiri dhe doganat kundërmonin vetëm era drogë, në vendin qytetarët e të cilit hyjnë e dalin pa viza për çdo hall e nevojë të tyre. Z. Rama duhet t’i jetë mirënjohës Policisë së Shtetit, e cila e shndërroi Shqipërinë nga vendi ku krerët e grupeve kriminale financonin emërimet e strukturave drejtuese të policisë, në shtetin ku vetëm brenda një viti mbi 120 mijë qytetarë për shkak të besimit që kanë i drejtohen policisë për ndihmë. Z. Rama duhet të fshijë nga kultura e tij politike urrejtjen ndaj Policisë së Shtetit pse ajo mbrojti institucionet, ligjin dhe rendin në 21 janar 2011.
Z. Rama dhe Partia Socialiste duhet të kuptojnë se institucionet, rendi, kushtetuta dhe flamuri janë të përjetshëm për qytetarët”- u shpreh zëdhënësi i Ministrisë së Brendshme, Fatmir Konja. Gjithashtu, Konja e akuzoi Ramën për sjellje anti-sociale edhe për faktin se kryesocialisti nuk i është referuar qoftë edhe për një moment të vetëm në daljet e tij mediatike, situatës emergjente të shkaktuar nga reshjet e dendura të dëmorës dhe ngricat, që kanë përfshirë vendin. “Në një kohë kur të gjithë strukturat shtetërore janë të angazhuara për përballimin e emergjencës të shkaktuar nga reshjet e shumta të dëborës, Kryetari i Partisë Socialiste Z. Edi Rama shpalli dje se emergjencë kombëtare është riorganizimi i Policisë së Shtetit. E meqë u shpreh se komunikimi dhe sjellja antisociale janë ushqimi bazë i kriminalitetit, kjo shpallje emergjence nga Z. Rama, paralel me një emergjencë civile, është tamam një sjellje antisociale”.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›