Plani Urbanistik - Basha nis konsultimet me të gjithë aktorët e një Tirane miqësore ndaj ambientit
Kryetari i Bashkisë: Plani përfundimtar Urbanistik do të jetë një “produkt i gjelbër”. Të planifikojmë të ardhmen e Tiranës. Gati marrja e përgjegjësive edhe për administrimin e ujësjellësit
Kryetari i bashkisë së Tiranës, Lulëzim Basha filloi dje nisjen e një serie takimesh informuese dhe diskutimi për planin urbanistik të kryeqytetit, i cili do të jetë gati këtë pranverë. Konsultimet kanë nisur me përfundimin e fazës së parë të programit të asistencës së JICA-s (Agjencia Japoneze për Bashkëpunim Ndërkombëtar). Në to janë përfshirë përfaqësues të botës akademike, grupet e interesit, shoqatat e biznesit, Dhoma e Tregtisë, shoqatat e ndërtuesve, të arkitektëve, ambientalistët, specialistët më të mirë të infrastrukturës, të ujësjellës-kanalizimeve, infrastrukturës rrugore, sociologë dhe punonjës socialë, të gjithë përfaqësuesit e minibashkive, por edhe të atyre komunave e bashkive rreth e qark, të cilët së bashku me Bashkinë e Tiranës kanë nisur një udhëtim të përbashkët, për Tiranën metropolitan. Kryebashkiaku Lulzim Basha deklaroi se në këtë vendimmarrje do të përfshihen të gjithë aktorët dhe do të merret parasysh mendimi i qytetarëve të Tiranës. “Sot nis rifillimi i ri-konfigurimit urban, rigjenerimit të plotë të qytetit tonë nga ana mjedisore dhe ndërtimore. Në këtë përpjekje, janë përfshirë të gjithë energjitë pozitive të qytetit të Tiranës që nga bota akademike, grupet e interesit, duke filluar me biznesin, shoqatat e biznesit, Dhoma e Tregtisë, arkitektë dhe specialistë”- u shpreh Basha. Ai vlerësoi se, punonjës socialë, përfaqësues të pushtetit vendor të Tiranës dhe minibashkive, komunave dhe bashkive rreth e qark, bashkë me Bashkinë e Tiranës kanë nisur punën për Tiranën metropolitane për të planifikuar më mirë të ardhmen e qytetit. Basha në këtë takim i dha aprovimin punës së deritanishme të grupit japonez JICA për hartimin e një plani për menaxhimin e mbetjeve, sistemin e kanalizimeve dhe kullimit, për të cilin qeveria japoneze ka dhënë 65 milionë euro. Sipas tij, përfundimi i fazës së parë të programit të asistencës nga JICA, i vjen në ndihmë “përpjekjes tonë për t’i dhënë Tiranës planin e përgjithshëm rregullues brenda kohës më të shkurtër me qëllim mishërimin e vizionit tonë për brezin e ardhshëm dhe hapjen rrugë për ri-konfigurimin, konsolidimin dhe ri-gjenerimin urban, si nga pikëpamja mjedisore, infrastrukturore, sociale dhe ndërtimore”. “Në këtë përpjekje janë përfshirë të gjithë energjitë pozitive të Tiranës që nga bota akademike, grupet e interesit, biznesi, ndërtuesit, ambientalistët, specialistët më të mirë të infrastrukturës, sociologë përfaqësuesit e pushtetit vendor. Këta të fundit po punojnë për Tiranë metropolitane, për të planifikuar më mirë të ardhmen për trajtimin e mbetjeve të ngurta dhe ndërtimin e infrastrukturës”. Basha renditi edhe prioritetet e Bashkisë që kryeson si rritja e sipërfaqeve të gjelbëruara në kryeqytet, sigurimi i një rrjeti rrugor, menaxhimi i trafikut duke përfshirë edhe parkimin dhe përmirësim i linjave urbane në kryeqytet. Ai premtoi krijimin e parqeve të reja e në veçanti atyre rajonale. “Pajisja me një rrjet parqesh duke përfshirë dhe parqe rajonale përtej vijës së verdhë. Përmirësimin e korridoreve të gjelbra nëpërmjet ndërhyrjeve të verifikuara duke synuar që këto korridore dhe zona e gjelbër e Tiranës të kthehet në një realitet të pandërprerë, brenda dhe jashtë qytetit”. Plani i ri urbanistik sipas Bashës, do të ketë kritere të rrepta për të gjithë ata që do të ndërtojnë duke përfituar nga hapësirat publike. Ai tha se “sfidat që do ndeshim janë shumë të mëdha dhe përgjigjet që plani duhet t’u japë sfidave duhet të jenë të cilësisë më të lartë dhe të bashkërenduar me të gjithë faktorët dhe mbi të gjitha me qytetarët e Tiranës”. Plani Urbanistik përfshin pajisjen me një rrjet parqesh, duke përfshirë edhe parqe rajonalë, përtej vijës së verdhë, përmirësimin e korridoreve të gjelbra, nëpërmjet ndërhyrjeve të dedikuara, duke synuar që këto korridore dhe zona e gjelbër e Tiranës, të kthehet në një realitet të pandërprerë brenda dhe jashtë qytetit, të mirë-projektuar nga qendra e qytetit deri në Farkë apo Paskuqan. Do të synohet një përmirësim i raportit midis hapësirës së ndërtuar, me atë të gjelbër. Plani i ri do të përcaktojë aplikimin strikt të kritereve të efiçencës së energjisë në ndërtesa dhe në ndërtim në tërësi, duke përfshirë ndriçimin publik, shkolla, kopshte, çerdhe, pra një Tiranë e cila të jetë “në paqe” dhe të përfitojë nga klima dhe nga ambienti. “Parimet e zhvillimit të harmonizuar të pronës, në respekt të plotë të pronës private, por duke synuar zgjerimin e hapësirave publike do të aplikohen tërësisht në çdo faqe dhe në çdo nivel të këtij plani. Në përfundim të këtij procesi do të jetë e pamundur për këdo që të ndërtojë, duke shkelur, qoftë edhe një kriter mjedisor dhe askush nuk do të mund të keqpërdorë hapësirën private, për të shkelur interesat publike mjedisore, pra cilësinë e jetës së qytetit dhe qytetarëve tanë” - tha z. Basha. Çështje të tjera që presin mendime dhe sugjerime janë edhe ato që lidhen me mundësinë e një sistemi të ndarë të kanalizimeve, nga ai i ujësjellësit, ndërtimi i një impianti për trajtimin e ujërave të zeza dhe procesi i trajtimit (Tirana sot nuk ka një impiant trajtimi të ujërave të zeza dhe niveli i përpunimit/trajtimit të tyre është zero), ndërtimi i stacioneve të pompimit, për t’i dhënë zgjidhje sidomos zonave më të ulëta të qytetit. Në fushën e menaxhimit të mbetjeve, opsionet për të cilat qytetarët do të vendosin kanë të bëjnë me mbledhjen e diferencuar të mbetjeve, nëse duhet të ndërtohet një landfill i ri, përderisa në kushtet aktuale, ai i Sharrës nuk ka më shumë se 3-5 vjet jetëgjatësi, apo duhet të synojmë teknologjinë “Ëaste-to-Energy”, si rekomandimi numër një i Komisionit të BE-së, në fushën e menaxhimit të mbetjeve të ngurta urbane.
Një plan urbanistik miqësor ndaj mjedisit
“Një vend të veçantë në këtë subjekt që do të paraqitet sot ka mjedisi, objektivat mjedisorë dhe puna parapërgatitore, për vlerësimin strategjik mjedisor, si çertifikata e garancisë që Plani përfundimtar Urbanistik do të jetë një “produkt i gjelbër”, miqësor ndaj ambientit dhe që kthen përfundimisht faqen e deritanishme të zhvillimit urban të Tiranës, jo në kundërshtim me objektivat ambientalë, por në përputhje të plotë dhe në mbështetje të objektivave të një qyteti të pastër, të gjelbër, me ajër më të pastër”.
Konsultime me qytetarët
“Në këto konsultime do të merret opinioni i grupeve të interesit dhe qytetarëve, edhe për përmirësimin e shërbimit të furnizimit me ujë, me qëllim që të arrijmë objektivat e shpallura, në strategjinë kombëtare, të miratuar në maj të vitit të kaluar, zhvillimin e një sistemi kërkesë-ofertë të furnizimit me ujë, që t’i përgjigjet zhvillimit urban të qytetit”.