Alibeaj-Jankov; Takimi, shkëmbime përvojash në interes të të dyja vendeve
Ministri i Drejtësisë z. Enkelejd Alibeaj, priti dje në një takim të veçantë kryetarin e Gjykatës Kushtetuese të Bullgarisë, zotin Rumen Jankov, të shoqëruar nga Ambasadori i Bullgarisë në Shqipëri Sh.T.Z., Theodor Roussinov dhe gjyqtari i Gjykatës Kushtetuese të Bullgarisë, zoti Blagovest Punen. Takimi u përqendrua në nevojën për shkëmbime përvojash dhe njohje të çështjeve të ndryshme në interes të përbashkët për të dyja vendet. Pas përshëndetjeve të rastit, z. Alibeaj ndër të tjera tha: “Është kënaqësi për mua të shfrytëzoj këtë takim për të përfituar më të mirën e përvojës suaj në betejën e vështirë për shtetin e së drejtës. Pavarësia e pushtetit gjyqësor në vendin tonë është një çështje delikate edhe për faktin e traditës së mospasjes së një sistemi qoftë edhe formalisht të pavarur. Vetëm që prej rreth 20 vjetësh kemi të shkruar në tekstin e Kushtetutës ndarjen e pushteteve. Pikërisht kjo fjalë, pavarësia e pushtetit gjyqësor nuk duhet të mbetet vetëm një fjalë e bukur në një tekst Kushtetute, por do të duhet që vetë sistemi gjyqësor apo sisteme të tjera të brendshme të luftojnë për rritje të përgjegjshmërisë ndaj ligjit”. Kryetari i Gjykatës Kushtetuese të Bullgarisë, zoti Rumen Jankov, pasi falënderoi ministrin për pritjen, theksoi se pavarësia e pushtetit gjyqësor është një element i rëndësishëm në një shtet demokratik, njëkohësisht pushteti ekzekutiv dhe Presidenti nuk duhet të ndërhyjnë në pushtetin gjyqësor, por duhet të luftojnë për pavarësinë e tij. Ai vuri në dukje gjithashtu, luftën që duhet të bëhet kundër korrupsionit brenda sistemit gjyqësor dhe jashtë tij. Për këtë lind nevoja e përzgjedhjes së gjyqtarëve në bazë të vlerave sa më të larta profesionale dhe morale, transparencë. Një nga çështjet, për të cilat zoti Jankov vuri theksin në mënyrë të veçantë, është fakti se gjyqtarët nuk duhet të marrin pjesë në hartimin e ligjeve, por t’i zbatojnë me korrektesë ato. Takimi mes dy titullarëve u konsiderua si një takim entuziast dhe i rëndësishëm në fushën e bashkëpunimit juridik mes dy vendeve.