Seanca; Gjykata, thyhen akujt mes Berishës e Dokles
Lulzim Berisha e Indrit Dokle “thyejnë” akullin mes tyre. Armiq të betuar dhe shumë para të hedhura për të eliminuar njëri-tjetrin. Për herë të parë, të paktën në dukje nga personat e tjerë të pranishëm në sallën e gjyqit, shihet duke folur me rivalin e tij, me të cilin më parë kanë qenë në të njëjtën bandë. Dy drejtuesit e bandës së ndarë kanë shkëmbyer fjalë me njëri-tjetrin, duke biseduar për disa minuta para fillimit të seancës gjyqësore. Indrit Dokle në radhën e parë të të pandehurve, ndërsa Lul Berisha në pjesën e futur të kafazit, ku rrinë të pandehurit zakonisht në procese gjyqësore. Dikur shumë miq me njëri-tjetrin, ndaj dhe nuk të bënte aspak përshtypje nëse do i shihje duke biseduar për “çështje të mëdha” në Durrës, sot e çuditshme për faktin se prej disa vitesh, qëkurse banda u nda dhe njëra kryesohej nga Berisha e tjetra nga Klodian Saliu, ata vetëm janë munduar të paguajnë njerëz për eliminim fizik të njëri-tjetrit. Gjatë gjithë seancave të mëparshme, asnjëherë nuk është vënë re ndonjë bisedë mes të pandehurve të kësaj bande me dy drejtues dhe rivalë me njëri-tjetrin, ndonëse janë vendosur përherë në të njëjtin kafaz. Dje, më në fund kanë vendosur të thyejnë akujt që i ndajnë prej vitesh. Largësia nga kafazi i të pandehurve nuk të krijonte mundësinë të dëgjoje bisedën mes tyre, por ndoshta Dokle duket ta ketë pyetur mbi “shëndetin” rivalin e tij, Berishën, pas operacionit të disa javëve më parë për heqjen e apendicitit. Megjithatë, biseda zgjati shumë pak, pasi në sallë kanë hyrë prokurorët e çështjes dhe trupi gjykues, duke nisur kështu seancën e radhës për “Bandën e Durrësit”. Procesi gjyqësor në ngarkim të anëtarëve të “Bandës së Durrësit” është shtyrë sërish ditën e djeshme. Shkak për shtyrjen e kësaj seance është bërë mungesa e avokatit Vangjel Muzina, çka e bëri të pamundur ecurinë e seancës. Gjykata bëri zëvendësimin e tij me av. Nazmie Caca. Ndërkohë që ashtu si dhe më parë, kjo seancë u përshkrua nga replikat mes avokatëve dhe trupit gjykues. Kësaj radhe, avokatët kanë kundërshtuar të kontrollohen nga persona të maskuar dhe të armatosur, ndërkohë që kanë hedhur pretendimin që në sallën e gjyqit nuk duhet të ketë persona me pistoleta të pranishëm, madje as persona me maska. Por, kjo kërkesë e avokatëve është hedhur poshtë nga togat e zeza, të cilat shtynë seancën për shkak të mungesës së një prej avokatëve mbrojtës, duke deklaruar pezullimin e afateve të paraburgimit për të gjithë të pandehurit dhe paralajmërimin e radhës për avokatët që dështojnë seancat gjyqësore me mungesën e tyre.