Alibeaj: Krimi gëzon siguri përballë një shteti të gjunjëzuar!

Partia Demokratike i ka dhënë karakter politik atentatit të së hënës në Lushnje ku u vra një shtetas dhe u plagosën 5 qytetarë të tjerë në një lokal në qendër të qytetit. “Ngjarja kriminale e Lushnjës risolli edhe njëherë para syve të shqiptarëve hendekun mes realitetit të hidhur në të cilin jeta e qytetarëve vihet çdo ditë në rrezik dhe propagandës së gënjeshtrave që ushen dhe ushqehet nga Rama, ku parësore është tallavaja dhe hilet e një komunikimi të rremë që prodhon vetëm fjalë boshe” tha deputeti demokrat Enkelejd Alibeaj.
Sipas ti “Gjendja e ankthit dhe pasigurisë që mbizotëron sot në Lushnjë dhe kudo, është pasojë e sigurisë që gëzon krimi përballë një shteti të gjunjëzuar, dhe i modelit të instaluar nga regjimi Rama-Doshi, ai i aleancës me krimin”.
“Rënia e rendit dhe sigurisë, humbja dhe shkatërrimi i jetëve, janë produkt i amoralitetit që ndërtoi këtë model për përfitime elektorale, duke bërë policinë të paaftë për t’u përballur me krimin dhe qytetet të pasigurta për familjet shqiptare” tha Alibeaj.
“Këto dy Shqipëri, ajo e karikatorëve që zbrazen duke vrarë e lënduar dhe ajo imagjinare e rrjeteve sociale të Edi Ramës, që i përdor si kamuflim për krimin dhe korrupsionin si instrumente politike të regjimit, janë të papajtueshme me njëra-tjetrën. Që Shqipëria reale të jetë e çliruar nga frika dhe nga makthi i një pushteti të bërë njësh me krimin, duhet ndëshkuar modeli i ndërtuar nga regjimi Rama-Doshi, duhet ndarë përfundimisht politika nga krimi. Kjo është e vetmja mënyrë për të pasur rend dhe siguri, e vemja mënyrë që qytetarët të jetojnë të sigurt në qytetet dhe fshatrat e tyre” tha deputeti demokrat Enkelejd Alibeaj.