E Diel, 1 Nëntor 2026

Alibeaj: “Nuk kemi qëllim që Prokuroria të kalojë në vartësinë tonë”

Autori i Lajmit: red.
Ministria e Drejtësisë ka reaguar dje mbi deklaratat e bëra nga ambasadori amerikan, mbi “vënien nën kontroll të prokurorisë prej Ministrisë së Drejtësisë” apo “zhveshjen e kompetencave të prokurorisë”. Në një komunikatë për shtyp, kjo Ministri bën të ditur se “Deklaratat janë të pavërteta dhe nuk pasqyrojnë aspak thelbin e ndryshimeve ligjore që janë në diskutim e sipër. Ministri i Drejtësisë sqaron se nuk ka qenë dhe nuk është aspak në qëllimin e tij dhe të Qeverisë që prokuroria të kalojë nën varësinë e Ministrisë së Drejtësisë. Ndryshimet e ligjit “Për organizimin dhe funksionimin e Prokurorisë” janë nevojë e kryerjes së reformës në këtë institucion dhe janë hartuar nga një grup i gjerë pune, në përbërje të të cilit kanë qenë edhe përfaqësues të institucionit të prokurorisë, avokatë, përfaqësues të jetës akademike, si dhe ka marrë pjesë misioni “EURALIUS” dhe “OPDAT.” Qëllimi i përbashkët ka qenë përfundimi i ndryshimeve ligjore në ligjin bazë të organizimit dhe funksionimit të prokurorisë në përputhje me standardet kushtetuese dhe demokratike si dhe në harmozimin të plotë me praktikat më të mira të legjislacioneve të vendeve të Bashkimit Evropian. Ndryshimet që po hartohen janë produkt i një pune të gjatë ekspertësh të njohur dhe po konsultohen në çdo rresht të tyre me përfaqësues të misionit “EURALIUS” dhe me “OPDAT.” Ministri i Drejtësisë shpreh bindjen se këto ndryshime ligjore në kuadrin e reformës në sistemin e drejtësisë, përbëjnë hapa të domosdoshëm dhe të kërkuar për rrugën e integrimit të Shqipërisë në NATO dhe BE”, - përfundon komunikata e Ministrisë.
Ky lajm është publikuar: 02/08/2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›