E Shtunë, 31 Tetor 2026

Uidhers: “Në Gërdec humbën jetën të pafajshëm”

Autori i Lajmit: red.
Ambasadori amerikan u bëri apel banorëve të mos ndërtojnë pranë kraterit, pasi zona vazhdon të mbetet e rrezikshme. Uidhers nuk ka bërë asnjë koment mbi deklaratat e djeshme për presionin që qeveria po ushtron mbi institucionet.

Ambasadori amerikan në Tiranë, Xhon Uidhers, vizitoi zonën e Gërdecit, 21 javë pas shpërthimit të 15 marsit. I shoqëruar nga ministri i Mbrojtjes, Gazmend Oketa, ambasadori u njoh me procesin e pastrimit të zonës nga gëzhojat ku, sipas ekspertit amerikan që drejton operacionin, rreziku i shpërthimeve sporadike është akoma i pranishëm për shkak se gëzhojat përmbajnë barut. Më pas ambasadori amerikan vizitoi një familje, shtëpia e së cilës ishte shkatërruar nga shpërthimi i Gërdecit. Të gjendur përpara pyetjes së drejtpërdrejtë të banorëve për situatën e sigurisë në këtë zonë, ambasadori dhe ministri Oketa nuk ishin në të njëjtën linjë mendimi. Duke e cilësuar Gërdecin si “toka ku humbën jetën njerëz të pafajshëm”, ambasadori u shpreh optimist se “Operacioni për pastrimin e zonës ka ecur mirë”. Aktualisht, zona ka nisur të rindërtohet, edhe pse, sikurse e theksoi ambasadori, ajo mbetet ende në rrezik dhe “duhet përshpejtuar procesi i grumbullimit dhe zhvendosjes së tyre”. Ambasadori u informua për procesin e pastrimit të zonës së infektuar nga municionet. “Ndodhemi në tokën ku humbën jetën shumë njerëz të pafajshëm”, - u është drejtuar ambasadori Uidhers banorëve të Gërdecit. Diplomati amerikan përsëriti edhe një herë apelin e ndërkombëtarëve për banorët e Gërdecit që të mos ndërtojnë pranë kraterit, si zonë ende e pasigurt. Pak ditë më parë, një diplomat amerikan hodhi dyshime për pengime të hetimet në lidhje me këtë ngjarje të rëndë nga zyrtarë të lartë të vendit. Uidhers ka hedhur poshtë të gjitha tentativat e deritanishme që janë bërë për implikimin e tij. Departamenti Amerikan i Shtetit ka pohuar mungesën e implikimit të tij. Po ashtu, vetë ambasadori Uidhers ka kërkuar që në fillim hetim të plotë të tragjedisë së Gërdecit nga autoritetet shqiptare, deri në nivelet më të larta. Së fundmi ai është shprehur në një takim informal me gazetarë shqiptarë se qeveria po ushtron presion mbi institucionet e pavarura dhe ka ekspozuar tentativat që po ndërmerren për të demotivuar organin e akuzës për t i shkuar deri në fund hetimit të tragjedis së Gërdecit dhe personave që e shkaktuan atë.

Ky lajm është publikuar: 02/08/2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›