E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Ja si do t i bllokojmë makinat e vjedhura”

Autori i Lajmit: Plarent Shehu
Vjedhja dhe trafikimi i makinave nga vendet evropiane për në territorin shqiptar duket se është një fenomen i arkivave policore dhe doganore.
Makina të tipeve të ndryshme, duke mos përjashtuar dhe prodhime të viteve të fundit ose jashtë serie gjen në çdo rrugë kryesore të Tiranës apo rretheve të tjera të vendit.
Linja e trafikut
Pjesa më e madhe e tyre, rreth 60 për qind, sipas ekspertëve janë siguruar nga grupet kriminale në Gjermani, por dhe në Itali, Zvicër, Belgjikë, Francë etj. Ato mbërrinin në territorin shqiptar si nëpërmjet Portit të Durrësit, ashtu dhe nëpërmjet pikave tokësore të kalimit kufitar me Malin e Zi, Kosovën e Maqedoninë. Gazeta “Ballkan” kontaktoi me Drejtorin Kreshnik Bozho, i cili ka dhënë detajet për procedurën e identifikimit të automjeteve të vjedhura, të cilat kërkojnë të hyjnë në territorin e Shqipërisë. Bozho ka sqaruar se, tashmë nuk do të ketë më asnjë automjet apo autoveturë të pazhdoganuar dhe që është i vjedhur që do të mund të hyjë në Shqipëri.
Marrëveshja
Sipas tij, marrëveshja e arritur me Interpolin dhe Europolin konstaton në lidhjen online të database-it të kësaj drejtorie, e cila do të verifikojë në çast çdo mjet që hyn apo ka hyrë dhe është pajisur me një certifikatë false, apo orgjinale nga degët përkatëse të doganave në rrethe. Bozho shpjegoi se: “me hyrjen e një automjeti në territorin shqiptar, ai do të kalojë nëpërmjet degës doganore nga ku vjen ose banon, pas marrjes së certifikatës përkatëse të zhdoganimit, dhe pasi ka kaluar kontrollin e parë nga database-i online i Doganave nëpërmjet sistemit ASYCUDA++(sistemi i autorizuar i të dhënave doganore), kalohet procedura tek ne, pra Dejtoria përkatëse Rajonale e Transportit Rrugor. Në momentin që kjo procedurë vjen në drejtorinë përkatëse të Transportit Rrugor, atëherë verifikohet i gjithë dokumentacioni si dhe se është i vjedhur ky automjet apo jo. Kjo ndodh, duke u lidhur specialisti përkatës i drejtorisë rajonale me sistemin ekontrolli online ASF2 me qendër në Lion të Francës, në momentin që përgjigjia vjen pas konfirmimit të procedurës, pra negative apo pozitive, ose thënë më qartë e vjedhur apo e blerë në mënyrë korrekte, atëherë fillon procedimi nga ana jonë. Pra, nëse kapet e vjedhur i jepet personit një leje provizore për një muaj, personit të interesuar për të bërë dokumentacionin, më pas përgatitet nga Drejtoria e Përgjithshme e Transportit Rrugor dosja e procedimit penal për personin dhe sekuestrimin e automjetit dhe i kalohet Ministrisë së Brendshme. Pas kësaj procedure, ministria ja përcjell Prokurorisë, e cila i hap dhe një proces personit të identifikuar me automjet të vjedhur, dhe bën po ashtu menjëherë dhe sekuestrimin e makinës. Përsa i përket paraqitjes ose rastit të dokumenteve false të zhdoganimit, përsëri ne lidhemi nëpërmjet të dyja sistemeve, si atij të doganave por dhe atij të Interpolit, duke bërë të mundur kapjen e automjetit të vjedhur, në ndryshim nga rasti i parë ai nuk pajiset fare me asnjë dokument, por i sekuestrohet automjeti në vend. Kjo praktikë ka filluar të aplikohet që në fillim të vitit dhe në bazë të statistikave që ne kemi dhe kontrolleve online në Lion të Francës, është bërë e mundur që të kemi 0% automjete të vjedhura të pajisura me dokumentacion. Nga 4223 mjete që janë regjistruar për herë të parë në të gjitha Drejtoritë Rajonale janë konstatuar 42 mjete të prodhuara vitet e fundit, të markave kryesore, të cilat rezultojnë të trafikuara pra rreth 1% e mjeteve të kontrolluara. Me këtë sistem nga rreth 2 mijë makina të vjedhura që arrinin të pajiseshin me dokumentacion, tashmë kemi arritur në zero numrin e hyrjes për herë të parë të këtyre mjeteve”, përfundoi drejtori Bozho. Përsa i përket makinave, të cilat tashmë janë futur në Shqipëri dhe janë pajisur me dokumentacion, ato do të eliminohen gradualisht, sipas drejtorit Bozho, duke e filluar fillimisht me ato që hyjnë për herë të parë dhe eliminimin e plotë të tyre.

Ç ndodh me makinën e vjedhur

Nëse një qytetar do të tentojë të hyjë në Shqipëri me një makinë të vjedhur ai do të duhet të kalojë në filtrin e parë atë të dorëzimit të dokumentacionit në doganë. Më pas ai duhet të paraqitet në drejtorinë rajonale përkatëse të Doganave nga ku do të kërkojë marrjen e certifikimit të zhdoganimit. Certifikimi është dhe etapa e parë, ose filtri i parë për të filluar pajisjen me dokumentacion, dogana e vërteton dokumentacionin e aktit të shitblerjes me anë të sistemit të kontrollit ASYCUDA++ të Europolit, nëse sistemi e nxjerr të vjedhur menjëherë atij i bllokohet makina dhe i kalohet dosja prokurorisë për sekuestrim dhe procedim penal.

Nxjerrja e lejes dhe pajisja me targa

Në rastet kur një makinë e vjedhur, apo një person, ka arritur të falsifikojë apo të nxjerrë nga dogana një certifikim të parregullt, kur paraqitet në Drejtorinë Rajonale të Transportit Rrugor do të kalojë në filtrin numër dy. Paraqitja e dokumenteve të zhdoganimit dhe kërkesa për leje qarkullimi dhe targa, shoqërohet me verifikimin dhe një herë të vlefshmërisë së dokumentacionit dhe orgjinalitetit të tyre. Në moment specialisti i kësaj drejtorie lidhet online me sistemin e Interpolit ASF2 në Lion të Francës, duke konfirmuar nëse është apo jo e vjedhur makina, pasi del që është e vjedhur, personi pajiset me një leje provizore të qarkullimit dhe pa targa, duke ju thënë se pas një muaji bëhet plotësimi i plotë i dokumentacionit. Menjëherë kjo drejtori lidhet me Drejtorinë e Përgjithshme, duke i përcjellë procedurën, ku kjo e fundit ja dërgon Ministrisë së Brendshme, dhe Prokurorisë. Në këtë kohë fillon procedimi penal i personit dhe konfiskimi i automjetit nga organet e prokurorisë. Pra dhe nëse arrihet nga persona të ndryshëm të merret një certifikatë zhdoganimi përsëri ai do të kapet, pasi kalon një filtër tjetër të dokumentacionit të mjetit, atë të Drejtorisë Rajonale të Transportit Rrugor.

Ky lajm është publikuar: 02/08/2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›