E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Të dalim në mbrojtje të demokracisë”

Autori i Lajmit: red.
Ka reagur pas deklaratave të ardhura nga ambasada amerikane për rrezikimin e anëtarësimit të Shqipërisë në NATO edhe PSD. Socialdemokratët, nëpërmjet nënkryetarit Engjëll Bejtaj, kanë denoncuar qeverinë Berisha, Kryetaren e Parlamentit, Topalli, si dhe mazhorancën në tërësi. Ai është shprehur në lidhje me deklaratat e diplomacisë amerikane se “Grupi parlamentar socialdemokrat, vazhdimisht gjatë seancave të këtij sesioni, nëpërmjet qëndrimeve të veta i ka bërë publike këto dukuri, që sipas tij, kanë cenuar rëndë jo vetëm integritetin e Parlamentit dhe misionin e tij si përfaqësues i popullit, por kanë cenuar rëndë standardin demokratik në vend. Pa dyshim që kjo flet për hapa mbrapa të demokracisë shqiptare dhe shërben si kambanë alarmi, sidomos për zgjedhjet e vitit 2009. Mbyllja e sesionit vulosi dështimin e Reformës Zgjedhore, si dhe mospajisjen e qytetarëve me karta identiteti për zgjedhjet e ardhshme. Ky është lajmi më i keq për votuesit shqiptarë, ky është sinjali që Shqipëria rrezikon anëtarësimin në NATO e BE. Duke i shtuar kësaj dhe presionin e dukshëm që qeveria dhe Parlamenti kanë ushtruar ndaj institucioneve të pavarura e kushtetuese për t iu imponuar dhe vënë nën kontroll ato, presion i cili ka alarmuar dhe komunitetin ndërkombëtar, na bëjnë të mendojmë se tashmë është garantuar mosrealizimi i standardeve. Ne vlerësojmë shqetësimet e shprehura nga komuniteti ndërkombëtar e veçanërisht nga miqtë tanë më të mirë. Klasa politike shqiptare dhe opozita në veçanti duhet të dalin në mbrojtje të sistemit demokratik në Shqipëri, të cenuar tashmë. Ne socialdemokratët do të vazhdojmë të jemi të angazhuar për mbrojtjen e demokracisë, të institucioneve të saj, parlamentarizmit dhe zgjedhjeve të lira”, - ka përfunduar në një deklaratë publike numri dy i socialdemokratëve.

Ky lajm është publikuar: 02/08/2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›