Alibeaj: PS ka dëshirë për kompromis, Rama është zbutur

Deputeti i Partisë Demokratike, Enkelejd Alibeaj, u shpreh dje se opozita e Edi Ramës, pavarësisht komenteve për zgjidhjen e ngërçit politik, duhet t’i nënshtrohet tryezës së bashkëpunimit fillimisht. “Vërej uljen e toneve dhe dëshirën për kompromis nga ana e PS edhe për faktin se jemi përpara zgjedhjeve lokale. PS po pranon realitetin dhe ky realitet është bashkëpunimi me mazhorancën”- u shpreh Alibeaj.
Deputeti demokrat, vuri në dukje se ka hapësira ligjore, tek të cilat mund të mbështetet KQZ-ja, lidhur me fatin e fletëve të votimit.
“Kuadri ligjor ekziston, PS duhet të pranojë dialogun. Kërkesën në Komisionin e Venecias mund ta bëjë Gjykata Kushtetuese ose institucionet më të larta të shtetit shqiptar”- tha ai.
Alibeaj komentoi edhe akuzat që PS ka bërë këto ditë pushimesh ndaj deputetes Albana Vokshi dhe ministres së Integrimit Majlinda Bregu.
Sipas tij, askush nuk ka të drejtë të akuzojë pa u mbështetur në ligj dhe në rastin në fjalë as Vokshi e as Bregu nuk e kanë shkelur ligjin.