Berisha takon në Salzburg fqinjtë Gjukanoviç e Gruevski, i informon për progresin ekonomik dhe treguesit pozitivë të turizmit

Gjatë qëndrimit në Salzburg, ku mori pjesë në takimin informal të kryeministrave të vendeve të Evropës Juglindore, kryeministri Sali Berisha zhvilloi disa takime dypalëshe. kryeministri u takua me Kryeministrin e Malit të Zi z. Milo Gjukanoviç, me kryeministrin e Maqedonisë z. Nikola Gruevski. Fillimisht, kryeministri Berisha u takua me kryeministrin e Malit të Zi, Gjukanoviç. Të dy kryeministrat u ndalen në mënyrë të veçantë në situatën ekonomike në të dy vendet. Nga ana e tij, Berisha e informoi homologun malazez për situatën ekonomike në Shqipëri, e cila vazhdon të jetë entuziaste. “Shqipëria, ashtu si një vit më parë kur ishte një ndër dy vendet me rritje ekonomike në Evropë edhe këtë vit ka rritje ekonomike, e cila do të jetë edhe më e madhe”- u shpreh kryeministri Berisha. Kreu i qeverisë theksoi se Shqipëria ka qenë dhe mbetet një vend i favorshëm për investitorët e huaj, të cilët nuk e kanë ndalur interesin për të zhvilluar projektet e tyre në këtë vend. Kryeministri Berisha u ndal edhe në treguesit mjaft pozitiv të turizmit në Shqipëri. “Numri i turistëve këtë vit, është rritur ndjeshëm edhe krahasuar me një vit më parë dhe deri në fund të vitit pritet të arrijë deri në 3.5 milionë”- informoi Berisha. Në vijim, të dy kryeministrat shprehën kënaqësinë për nivelin shumë të mirë të marrëdhënieve midis dy qeverive dhe vendeve, si dhe gatishmërinë e qeverisë shqiptare dhe asaj të Malit të Zi për të forcimin e mëtejshëm të marrëdhënieve dhe bashkëpunimit në të gjitha fushat. Gjithashtu, kryeministri Berisha u takua edhe me kryeministrin e Maqedonisë z. Nikolas Gruevski. Berisha dhe Gruevski vlerësuan nivelin shumë të mirë të marrëdhënieve që ekzistojnë ndërmjet dy vendeve, si dhe mbështetën vazhdimin e bashkëpunimit në projektet konkrete midis Shqipërisë dhe Maqedonisë, në mënyrë që ato të shndërrohen sa më parë në realitet.
...