E Shtunë, 31 Tetor 2026

LSI: Vlerësojmë reflektimin e PS për zgjidhjen e ngërçit - opozita të bëhet pjesë e reformave

Lëvizja Socialiste për Integrim është shprehur dje se vlerëson ndërgjegjësimin e Partisë Socialiste për zgjidhjen e ngërçit politik, duke i apeluar të pranojë zbatimin e rezolutës së PE. Nënkryetarja e LSI-së, Erisa Xhixho u shpreh dje se ka ardhur koha të hiqet dorë nga inflacioni i deklaratave dhe demagogjia, për të kaluar në veprime konkrete. “Për LSI-në që vazhdimisht dhe me këmbëngulje ka bërë thirrje për zbatimin e Rezolutës së Parlamentit Evropian, asnjëherë nuk është vonë që palët të reflektojnë pozitivisht dhe në sensin e duhur për të lënë mënjanë interesat partiake, e për të vënë mbi to interesat evropiane të vendit. LSI përshëndet çdo iniciativë e cila është në favor të krijimit të kushteve për bashkëpunim dhe kontributeve pozitive për zgjidhjen të problematikës që aktualisht është krijuar pa përfundimit të zgjedhjeve të vitit të kaluar.
Ka ardhur koha që të hiqet dorë nga inflacioni i deklaratave dhe demagogjia dhe të kalohet në veprime konkrete dhe aksione politike e ligjore që të garantojnë një reformë zgjedhore të standardeve evropiane”- u shpreh ajo.
Xhixho vuri në dukje se LSI e konsideron një shenjë pozitive reflektimin ndaj ftesës së bërë me kohë prej saj, përmes qëndrimit të mbajtur së fundmi në emër të Partisë Socialiste nga kreu i grupit parlamentar, për t’iu drejtuar Komisionit të Venecias që të shprehet në lidhje me qëndrimin që duhet mbajtur ndaj fletëve të votimit dhe për ti çelur rrugë kështu Komisionit Hetimor Parlamentar.
“Koha e humbur për shkak të qëndrimeve refraktare dhe inatçore duhet të shërbejë që palët të përshpejtojnë ritmet e angazhimit konkret dhe të kontributeve reale për kapërcimin e gjendjes së krijuar”- tha zyrtarja e lartë e LSI.
Nënkryetarja e kësaj force politike, Erisa Xhixho, u shpreh më tej se Edi Rama duhet të integrohet dhe të bëhet pjesë e procesit të reformave.
“Duke shpresuar që në qëndrimi më i fundit i PS të jetë fillimi i një procesi bashkëpunues, e ftojmë lidershipin socialist të integrohet dhe të bëhet pjesë e tërë procesit të reformave europianizuese të vendit, sepse vetëm bashkëpunimi dhe respekti ndaj institucioneve legjitime të vendit, kontributet pozitive dhe alternativat konkurruese janë ato që pret vendi në këtë kohë sfidash të mëdha”- deklaroi më tej ajo.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›