Lulzim Basha: Në Vjenë rikonfirmuam se në vjeshtë merret vendimi për heqjen e vizave

“Në mbledhjet e ardhshme në tetor apo nëntor - dhe këto mbledhje i ndajnë tre javë nga njëra-tjetra - do finalizohet vendimmarrja për lëvizjen e lirë të qytetarëve shqiptarë”, deklaroi dje ministri Lulzim Basha, i cili sapo ishte kthyer nga forumi i Salzburgut
Ministri i Brendshëm Lulzim Basha në takimet që ka zhvilluar gjatë Forumit të 10 të Salzburgut në Austri, me disa prej homologëve të vendeve anëtare të Bashkimit Europian ka marrë garancinë se në një nga mbledhjet e vjeshtës Këshilli i Ministrave të Brendshëm do të marrë vendimin mbi propozimin e Komisionit Europian për heqjen e vizave për qytetarët shqiptarë.
“Kam patur bisedime dypalëshe me disa prej kolegëve të Bashkimit Europian, të cilët më kanë siguruar se presin finalizimin e hapave teknikë nga Komisioni Europian dhe që shpresojnë që në mbledhjet e tyre të ardhshme në Tetor apo Nëntor, dhe këto mbledhje i ndajnë tre javë nga njëra- tjetra, të finalizojnë vendimmarrjen për lëvizjen e lirë të qytetarëve shqiptarë”, - deklaroi ministri i Brendshëm, Lulzim Basha.
Në Forumin e 10 të Salzburgut, Shqipëria është vlerësuar si një shembull në rajonin e Ballkanit Perëndimor në fushën e menaxhimit të integruar të kufijve dhe të lëshimit të dokumenteve të identitetit të standardeve më të larta europiane.
“Gjatë vizitës në Shqipëri u impresionova nga arritjet teknologjike të policisë shqiptare në menaxhimin e integruar të kufijve si dhe në përdorimin e teknologjisë së informacionit në luftën kundër krimit të organizuar. Mendoj se në këto fusha si dhe me qeverisjen elektronike në tërësi, Shqipëria ka ecur shumë përpara sa mund të merret si shembull dhe për vende të tjera të rajonit” - u shpreh në forum Ministrja e Brendshme e Austrisë Znj. Maria Fekter.
Ndërkohë nisma e Shqipërisë për realizimin e Schengenit ballkanik brenda presidencës njëvjeçare të saj të MARRI-it(Nisma rajonale për Migrimin, Azilin dhe Refugjatët) ka gjetur mbështetjen e plotë të gjithë ministrave të brendshëm të vendeve të rajonit dhe përkrahjen e homologëve të vendeve anëtare të Bashkimit Europian.
“Nisma jonë për një Ballkan me rregulla “Schengen” për lëvizjen e qytetarëve të çdo vendi të Ballkanit Perëndimor, ka gjetur sot përkrahje të plotë jo vetëm nga përfaqësuesit e vendeve të rajonit, ministrat e brendshëm të Serbisë, Maqedonisë, Malit të Zi dhe Bosnje Hercegovinës, por edhe nga vendet anëtare të Bashkimit Europian, nga Austria si vendi mikpritës i këtij forumi si dhe nga gjashtë vende të tjera anëtare të BE, të cilat e kanë përshëndetur këtë nismë të Shqipërisë. Nisma bazohet mbi faktin që vendet tona, kanë plotësuar të kuadër të liberalizimit të vizave të gjitha kriteret e udhërrëfyesit, të cilat në shumë raste janë të barabarta me ato të zonës “Schengen” dhe se besimi që në këtë mënyrë BE vendos tek vendet tona nëpërmjet heqjes së vizave për qytetarët tanë duhet të shërbejë edhe si një faktor besimi midis vetë vendeve tona. Produkti final i kësaj nisme do të jetë lëvizje e lirë e çdo qytetari të vendeve të Ballkanit Perëndimor vetëm në disponim të një karte identiteti apo të një letërnjoftimi në të pesë vendet e Ballkanit Perëndimor, në Shqipëri, Serbi, Maqedoni, Mal të Zi dhe Bosnje Hercegovinë”- u shpreh Basha. Ministri i Brendshëm në fjalën e tij në forum përsëriti kërkesën e Shqipërisë që në procesin e liberalizimit të vizave me BE, por edhe në procesin e lehtësimit të lëvizjes së lirë në vendet e Ballkanit Perëndimor të mos ketë asnjë të përjashtuar, por edhe qytetarët kosovarë dhe Kosova të jenë pjesë e këtij procesi. Në Forumin e 10 të Salzburgut ishin të pranishëm ministrat e brendshëm të Shqipërisë, Serbisë, Maqedonisë, Malit të Zi, Bosnje Hercegovinës, Kroacisë, Austrisë, Bullgarisë, Rumanisë, Hungarisë, Polonisë, çekisë, Sllovenisë dhe Sllovakisë. Në forum u diskutua gjerësisht mbi zgjerimin dhe konsolidimin e bashkëpunimit policor mes të gjithë vendeve për të rritur efikasitetin e luftës kundër kriminalitetit.
Turdiu: Liberalizimi i vizave, do ketë penalizime në rast shkeljesh/Liberalizimi i vizave mund të konsiderohet tashmë me plot bindje si një proces në fazën finale të realizimit të tij, me fillimin e sesionit të vjeshtës. Por, autoritetet shqiptare paralajmërojnë penalizime individuale, por dhe kolektive, nëse shqiptarët shkelin afatet strikte të Bashkimit Europian pas liberalizimit të vizave.
Kryenegociatori i këtij proces me BE-në, Gazmend Turdiu thotë përveç përjashtimit 5- vjeçar nga vendet e zonës “Schengen”, për abuzuesit rrezikohet pezullimi i procesit të liberalizimit për të gjithë vendin. “Nëse do të ketë raste shkeljesh, nëse do të ketë parregullsi, nëse do të ketë vend për përmirësimin, këto do të diskutohen dhe do të merret një vendim i përbashkët se si do të vijohet më tej. Një person i cili qoftë nga mosdija, qoftë nga papërgjegjshmëria apo përpjekja për të abuzuar me këtë dimension të ri do të kenë ndalimin e hyrjes deri në 5 vjet. Nëse numri i këtyre shkeljeve do të ishte tej disa normave, atëherë ndoshta kjo do të penalizonte deri në një farë mase edhe qytetarët e tjerë”- vëren Turdiu.
Strukturat negociatore të Bashkimit Europian për këtë proces, pas marrjes së vendimit për lirinë e qarkullimit do të kthehen në struktura monitoruese. Do të jenë pikërisht ato që do të përcaktojnë dhe masat për vendin në rast shkeljesh.
Por si duhet të veprojë një qytetar shqiptar pas vjeshtës për të udhëtuar në Europë? “Me një dokument udhëtimi të vlefshëm, pasaporta- në rast se zotëron pasaportë biometrike, me fonde të mjaftueshme për të përballuar udhëtimin dhe me një sigurim shëndetësor që mbulon periudhën e udhëtimit, atëherë këta njerëz mund të marrin një mjet udhëtimi, të paraqiten para oficerit te udhëtimit në zonën “Schengen” dhe nëse pyeten t’i tregojnë qëllimin e udhëtimit dhe të lejohen të hyjnë brenda”- tha Turdiu.
Komisioni Europian do të përgatisë raportin përfundimtar për vizat me Shqipërinë që do t’ia paraqesë parlamentit dhe Këshillit të Ministrave.
Vetëm pas ratifikimit në këto 2 institucione të këtij dokumenti, do të nisë lëvizja e lirë e shqiptarëve. Parashikohet, madje edhe në bazë të raporteve zyrtare të përfaqësuesve të Brukselit, që vendimi për vizat të merret brenda vjeshtës së këtij viti, në mënyrë që qytetarët shqiptarë të gëzojnë lëvizjen e lirë në hapësirën “Schengen”, para festave të fundvitit.