E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha: Respektimi i ligjit dhe i Kushtetutës, garanci për standardet evropiane të zgjedhjeve të ardhshme

Kryeministri Berisha merr mbështetjen e kancelarit austriak, Faymann për integrimin e Shqipërisë në BE. Gjatë bashkëbisedimit me homologun austriak, kreu i qeverisë i është referuar dhe ngërçit politik, duke u shprehur se ekziston kuadri ligjor për rrugëzgjidhjen. Përgjigjja vjen në një kohë kur PS ka deklaruar se mund të presë edhe opinionin e Komisionit të Venecias, lidhur me fletët e votimit


Nisur nga deklarata e kryetarit të grupit kuvendor socialist, Gramoz Ruçi, për adresimin e çështjes së kutive te Komisioni i Venecias, për të marrë prej andej një konkluzion, kryeministri Sali Berisha ka deklaruar edhe njëherë se ekzistojnë të gjitha hapësirat ligjore, për të gjetur një zgjidhje të përbashkët, në përputhje me ligjin dhe Kushtetutën. Shefi i ekzekutivit thekson se bashkëpunimi ndërmjet mazhorancës dhe opozitës mund të sjellë edhe arritjen e standardeve të zgjedhjeve të ardhshme, të cilat janë ato vendore në pranverë të 2011-ës. Këto komente kreu i qeverisë shqiptare, i bëri gjatë një takimi të zhvilluar në Salzburg, me kancelarin e Austrisë, Verner Faymann. Kryeministri Berisha e informoi kancelarin Faymann për situatën politike në Shqipëri, ku u shpreh se ekzistojnë hapësira shumë të mira në përputhje me Kushtetutën dhe ligjin për të gjetur një zgjidhje të përbashkët të problemeve. Kryeministri ka konsideruar të rëndësishëm bashkëpunimin mazhorancë-opozitë, për plotësimin e standardeve në zgjedhjet e ardhshme. Vjena, garanci për integrimin e Shqipërisë/ Në vijim të bashkëbisedimit, të dy kryeministrat u ndalën në procesin e integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian. Duke e falënderuar kancelarin austriak dhe qeverinë e tij për mbështetjen që i kanë dhënë Shqipërisë në proceset integruese, kryeministri Berisha tha se ky proces duhet të jetë i bazuar mbi meritën, pasi ky është interesi jetik i qytetarëve shqiptarë, të cilët kanë nevojë për reforma, kritere, norma dhe standarde për tu bërë pjesë e Bashkimit Evropian. Nga ana e tij, kancelari Faymann vlerësoi reformat e ndërmarra nga qeveria shqiptare, të cilat bënë të mundur që Shqipëria edhe në një kohë krize financiare botërore, falë lehtësirave fiskale, klimës miqësore dhe garantimit të tyre, vazhdoi të jetë një vend i preferuar për investitorët. Kancelari Faymann e garantoi kryeministrin Berisha se ai personalisht dhe qeveria e tij do të vazhdojnë të inkurajojnë dhe nxisin investitorët austriak për të shtrirë aktivitetet dhe investuar në Shqipëri. Duke shprehur mirënjohjen për qeverinë dhe Kancelarin austriak, për mbështetjen e vazhdueshme që i kanë dhënë Shqipërisë në të gjitha fushat, kryeministri Berisha shprehu vendosmërinë e qeverisë që drejton për të ecur më tej me reformat, në mënyrë që Shqipëria të shndërrohet çdo ditë e më shumë në një histori suksesi për investitorët. Në vijim, kryeministri Berisha bëri një ekspoze të situatës ekonomike në Shqipëri, e cila përballoi mjaft mirë pasojat e krizës ekonomike botërore. Më tej, Kryeministri u shpreh se rritja ekonomike e Shqipërisë në vitin që shkoi ishte 3.5 përqind, ndërkohë që këtë vit rritja ekonomike e saj pritet të jetë edhe më e madhe. Kryeministri theksoi se qeveria ndërmori një revolucion të vërtetë fiskal duke e shndërruar Shqipërinë në një nga vendet me taksat më të ulëta në Evropë. Kryeministri u shpreh se falë luftës kundër korrupsionit dhe përgjysmimit të taksave, qeveria ia doli të dyfishojë të ardhurat. Gjithashtu, Kryeministri tha se ne adoptuam zero tolerancë ndaj krimit të organizuar, duke e bërë Shqipërinë një vend të sigurt. Nisur nga zhvillimet në vendet e tjera, të cilat shkurtuan pagat dhe pensionet, kancelari austriak u interesua edhe për qëndrimin e qeverisë shqiptare në këtë drejtim. Shefi i ekzekutivit shqiptar, Berisha e informoi kancelarin se, përkundrazi, qeveria shqiptare jo vetëm që nuk i ka ulur, por i ka rritur pagat dhe pensionet. “Në pesë vitet e qeverisjes sonë, janë dyfishuar pagat në disa sektorë, pensionet dhe ndihma ekonomike”- tha Berisha. Në këtë aspekt, kreu i qeverisë shqiptare, theksoi gjithashtu se qeveria ka ndërmarrë këtë vit një shkurtim të shpenzimeve me 25 përqind, por pa cenuar sektorët prioritarë. “Arsimi dhe shëndetësia, mbeten sektorët më prioritarë”- shtoi Berisha. Kryeministri Berisha e falënderoi kancelarin Faymann, dhe qeverinë austriake për ndihmën e dhënë në modernizimin dhe pajisjen me aparatura moderne të 6 spitaleve rajonale në vend. Një vëmendje të veçantë kryeministri Berisha i ka kushtuar investimeve në insfrastrukturë. Në këtë drejtim, kreu i qeverisë u shpreh se në këtë sektor është investuar 8 përqind të GDP-së. “Në katër vite ndërtuam 6000 kilometra rrugë dhe do të ndërtojmë edhe 6000 kilometra të tjerë, ku një pjesë e madhe janë autostrada dhe në to përfshihen edhe tunele, duke pasur parasysh terrenin malor që ka Shqipëria”, vijoi kryeministri. Berisha-Spindelegger: Brenda vitit mbyllet procesi i liberalizimit të vizave për qytetarët shqiptarë/ Liberalizimi i vizave ka qenë një temë specifike gjatë takimit që kryeministri Sali Berisha ka zhvilluar në Salzburg me ministrin e Jashtëm të Austrisë, Michael Spindelegger. Kryediplomati austriak, i ofroi kreut të qeverisë shqiptare të gjithë mbështetjen e vendit të tij për përmbylljen e procesit të liberalizimit të vizave për qytetarët shqiptarë, sikundër edhe për integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian. Nga ana e tij, kryeministri Berisha e falënderoi ministrin Spindelegger për mbështetjen e vazhdueshme që ai dhe qeveria austriake i kanë dhënë Shqipërisë si në projektet e zhvillimit ekonomik të saj, ashtu dhe për proceset integruese. Shefi i ekzekutivit, shprehu angazhimin dhe përkushtimin e qeverisë që drejton për të ndërmarrë çdo iniciativë dhe reformë që të shndërrojë në realitet projektin më të madh të shqiptareve, atë të integrimit në Bashkimin Europian.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›