Alibeaj: PS, në kohë për të hetuar zgjedhjet pa boshatisjen e kutive
Mazhoranca fton opozitën të vijë në komisionin hetimor për hetimin e zgjedhjeve të 28 qershorit. Paralajmërimi i kreut të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Arben Ristani, për djegien e fletëve të votimit, sipas tij, nuk pengon procesin e hetimit. Besoj që jemi në kohën e duhur që PS të ketë gjitha mundësitë të vijë në komisionin hetimor, të bëjë kërkesat e saj për provat, të këqyrë materialet, ato çfarë ajo dëshiron dhe ligji lejon, dhe Kushtetuta lejon, dhe vendimet e gjykatës kushtetuese lejojnë, - pohon Enkeled Alibeaj, anëtar i komisionit hetimor për 28 qershorin. Sipas tij, në këtë mënyrë nuk do të kërkohet të vendoset në ngërç Komisioni Qendror i Zgjedhjeve. Sipas tij, nuk ka asnjë lloj mundësie, as teorike, që KQZ të bëhet barrierë e komisionit hetimor. Nuk ka se si të bëhet barrierë. Është gjithmonë në të drejtën e vet për të respektuar dhe për të zbatuar ligjin. Po kështu edhe komisioni hetimor i ka të gjitha mundësitë, jo vetëm teorike, por praktike, për të bërë transparencën e plotë të procesit zgjedhor të 28 qershorit, - ka pohuar Alibeaj i cili ka shtuar madje se mund të jetë një dëshirë diabolike e PS-së që të nxjerrë një sebep tjetër për asgjësimin e fletëve, por nuk do të ndodhë. Ndërkohë që kreu i Partisë Socialiste, Edi Rama, e ka konsideruar deklaratën e Ristanit si në kundërshtim me interesat e vendit. Nuk ka asgjë për tu çuditur. Në Shqipëri po digjen përditë vende pune. Për fat të keq, reagimi i pushtetit dhe i strukturave të pushtetit vazhdon të jetë në kundërshtim me interesat e vendit, - tha ai. Ngritja e komisionit hetimor parlamentar u miratua në 19 shkurt, por që prej asaj dite ai nuk ka filluar punë. Opozita ka deklaruar se nuk e njeh atë, pasi mazhoranca nuk përfshiu në kompetencat e tij hapjen e kutive.